Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka dhënë sot shpjegimet për testimin e menduar të mjekëve, para Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë.
Beqaj siguroi se nuk bëhet për të hequr mjekë nga puna, pasi sistemi shëndetësor ka nevoja akoma për mjekë. “Mjekët nuk denigrohen, rritet figura e mjekut brenda trupës shëndetësore por edhe tek pacienti. Testimi do të jetë pa pagesë, por ka kosto buxhetore që janë parashikuar tek buxheti i këtij viti”, tha Beqaj.
Në lidhje me formën që do të kryhet testimi, Beqaj ka shpjeguar se ai do të zhvillohet në dy forma, atë teorike dhe praktike. Si fillim do të nisë me infermierët, për të vazhduar më tej tek mjekët. Po kështu, Beqaj sqaroi se mjekët do të mblidhen në 3-4 rajone të vendit, për t’iu nënshtruar testimit, pa u zhvendosur shumë larg vendit të ushtrimit të profesionit të tyre.