Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka pritur sot në takim Presidenten e KE, Ursula Von der Leyen, ku e falenderoi për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë,
“Niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në pas çeljes së negociatave dhe vendosmëria e vendit tim për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian, e bëjnë vizitën tuaj në Tiranë të veçantë dhe të rëndësishme”, u shpreh Begaj.
Më tej ai u shpreh se kjo vizitë e presidentes së KE në Shqipëri, jo vetëm konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes nesh, por është edhe një mesazh inkurajimi dhe mbështetje e madhe për vendin tonë në këto momente kërcënimesh e sfidash për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Gjithshtu Begaj e siguroi Presidenten e Komisionit Evropian se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane dhe se objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm. Raporti i Progresit për Shqipërinë është një udhërrëfyes i paanshëm dhe i nxit të gjitha institucionet shqiptare të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, presidentja e BE, Ursula von der Leyen, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe evidentoi progresin e rëndësishëm që Shqipëria po bën në rrugën e saj të integrimit evropian.