Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi ditën e sotme ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore Parlamentare, duke refuzuar kështu thirrjen e opozitës për të mos e firmosur por ta kthente mbrapsht në Parlament.
Në një deklaratë për mediat Bardhi tha se me këtë veprim Begaj tregoi edhe njëherë që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama. Sa i përket qëndrimit që kreu i shteti mbajti ku tha se opozita nuk ka ofruar asnjë zgjidhje për kompromis, deputeti demokrat u shpreh se kanë qenë demokratët ata të cilët kanë shprehur gatishmëri të plotë për të gjetur një zgjidhje, mirëpo nuk ka patur asnjë reflektim nga ana e mazhorancës.
“Në këtë njoftim për shtyp i presidentit Begaj i cili ndër të tjera citon edhe një të pavërtetë që kanë qenë deputetët eopozitës që kanë shmangur mundësinë për dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës. E vërteta në fakt është që opozita prej tre muaj është në një betejë për të kërkuar të drejtat dhe në çdo mesazh publik të transmetuar prej meje dhe kolegë brenda grupit kemi shprehur gatishmërinë e plotë për të gjetur zgjidhje dhe për të dialoguer në funksion të respektimit të kushtetutës dhe rregullores.
Ka qenë mazhoranca që jo vetëm ska patur asnjë reflektim, por nuk ka bërë asnjë përpjekje për dialog politik por në të kundër ka shtuar masat arrogante agresive ndaj opozitës në Kuvend”, tha Bardhi.
Teksa më tej u ndal edhe te prezenca e kreut të shtetit gjatë seancës plenare të së hënës. Bardhi zbuloi se presidenti Begaj ishte vendosur në dijeni lidhur me skenarin e opozitës për të mos lejuar zhvillimin normal të asaj seance. Mirëpo, ashtu si dhe Bardhi thekson ishte zgjedhja e Begajt që të vinte dhe të keqpërdorej nga kryeministri Rama.
“Prandaj dhe Begaj pas sjelljes së tij ditën e hënë, unë e kam njoftuar kabinetin e Presidentit të Repbulikës mbi atë që do bënin deputetët dhe ishte zgjedhja e presidentit të vinte dhe të keqpërdorej nga Edi Rama.
Pas atij akti ku kreu i shtetit lejoi Ramën ta keqprdorte për të krijuar një tjetër alibi për dhunimin e te drejtave të opozitës. Ai humbi shansin të jetë mbi palët. Sot Presidenti i Republikës do të duhet të japë aprovimin Edi Rama dhe këtë e bëri përmes këtij njoftimi. Pra nëse ne biem dakort me mazhorancën presidenti e kthen ligjin për shqyrtim në Kuvend. Detyra e presidentit është ta kthejë ligjin kur konstaton problematika”, shtoi Bardhi.
Ndër të tjera deputeti demokrat i ka bërë thirrje Presidentit që të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të sillet mbi palët, dhe jo si vartësi i kryeministrit Rama.
“Akt i turpshëm presidentit i cili miratoi një ligj antikushteutes dhe e thellon krizën e funksionimit mirëpo i bëj thirrje presidentit të ngrihet në lartësinë e detyrës. Unë e kuptoj se presidenti është zgjedhur me votat e mazhorancës mirëpo ky është një aspekt që ka kaluar. Në momentin që është betuar dueht të sillet një institucion mbi palët dhe jo si vartës i kryeministrit të Shqipërisë, sepse nuk është as ministër dhe drejtor, por është numëri 1 i Shqipërisë”, shtoi Bardhi.
Kujtojmë se ditën e sotme presidenti Bajram Begaj dekretoi ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore Parlamentare. Kreu i shtetit refuzoi kështu thirrjen e opozitës për të mos e firmosur por ta kthente mbrapsht në parlament.
Përmes një njoftimi për median presidenti argumenton pretendimet e opozitës dhe pse vendosi miratimin e ndryshimeve të ligjit të komisioneve hetimore.
5 Argumentet e Presidentit
1. Është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim.
Është fakt publik se në instancat e brendshme të Kuvendit nuk është depozituar asnjë kërkesë me pretendime për shkelje procedurale të lidhura me këtë ligj. Shkeljet procedurale mund të formojnë lëndë për kontrollin kushtetues vetëm nëse shkeljet procedurale ngrihen në nivelin e shkeljeve kushtetuese. I tillë është, për shembull, rasti kur një ligj, për të cilin Kushtetuta kërkon miratimin me shumicë të cilësuar, miratohet me një numër më të vogël votash. Asnjëra nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk ngrihet në nivelin e një shkeljeje procedurale kushtetuese. Për pasojë, nuk e bën këtë ligj antikushtetues.
Po kështu, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi.
2. Është pretenduar se amendamentet e miratuara nuk kanë të përfshirë qëndrimin e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit shumica parlamentare është e detyruar të pranojë ngritjen e komisionit hetimor dhe se ajo mund të vërë në diskutim vetëm objektin e hetimit dhe vetëm nëse ka pretendime për cenim të parimeve kushtetuese. Përballë këtij pretendimi qëndrojnë dy fakte thelbësore, të cilat mbrojnë kushtetutshmërinë.
Së pari, detyrimi për ngritjen e komisionit hetimor, kur këtë e kërkojnë jo më pak se 35 deputetë, është detyrim që buron nga neni 77 i Kushtetutës dhe nuk ka dispozita të këtij ligji që t’i kundërvihen.
Së dyti, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, që ka përcaktuar edhe kufijtë e diskrecionit të shumicës parlamentare, në këtë rast, gjithashtu, nuk kundërshtohet nga asnjë dispozitë e këtij ligji. Opinioni se kjo çështje duhet të ishte përfshirë në tekstin e ligjit me formulime konkrete, sipas kësaj linje, mund të konsiderohet racional, por mungesa nuk e bën ligjin antikushtetues, sikurse nuk i zhbën detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.
3. Është pretenduar se përcaktimet e ligjit të ri për rregullat për zhvillimin me dyer të mbyllura të mbledhjeve të komisionit hetimor synojnë eliminimin e transparencës, e cila është thelbi i punës së tij. Formulimet që përcaktojnë me numërtim rastet kur mund të zhvillohen mbledhjet me dyer të mbyllura, i shërbejnë transparencës, sepse nëpërmjet kufizimit të rasteve disiplinojnë vendimmarrjen e komisionit dhe reduktojnë mundësinë e abuzimit me këtë mekanizëm. Rastet e përmendura në ligj janë përjashtimore dhe secili prej tyre i shërben mbrojtjes së një interesi tjetër kushtetues ose ligjor. Këto dispozita nuk eliminojnë transparencën. Shkelja e tyre mund ta bëjë këtë. Ligji nuk mund të quhet antikushtetues. Veprimtaria në kundërshtim me të, po.
4. Është pretenduar se rregulli i ri për marrjen e provave dhe thirrjen me vendim të ndërmjetëm të dëshmitarëve është antikushtetues. Edhe ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Është e vërtetë se dispozita për marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve me vendim të ndërmjetëm formon regres në raport me ligjin e mëparshëm, i cili, kryerjen e këtyre procedurave nuk ia nënshtronte votimit, por çështja në vetvete nuk ka lëndë kushtetuese. Nuk mund të pretendohet, për shembull, që në këtë rast kemi të bëjmë me cenimin e një të drejte të fituar, sepse parimi kushtetues i mbrojtjes së të drejtave të fituara vepron në një fushë tjetër dhe për subjekte krejt të tjera. Në këtë rast, jemi përpara dy zgjidhjeve ligjore, konkurruese me njëra-tjetrën, por të dyja janë kushtetuese.
Nga ana tjetër, rregullat për marrjen e dëshmisë dhe përmbajtjen e saj nuk mund të konsiderohen kufizuese. Ato sqarojnë pozitën procedurale të dëshmitarit dhe janë në harmoni me legjislacionin shqiptar, (përfshirë modelet e huaja të referencës).
5. Për sa i përket kërkesës për përfshirjen e Presidentit të Republikës në procesin e dialogut politik, kjo përbën konsideratë të një natyre të ndryshme nga konsideratat që i takojnë procedurës së kontrollit kushtetues të ligjeve. Kthimi i ligjeve për shqyrtim nuk është instrumenti kushtetues që i është dhënë Presidentit të Republikës për të lehtësuar dialogun. Ligjet nuk shpallen për hir të “dialogut politik mes palëve”, por si pjesë e procesit legjislativ, për shkakun se kalojnë me sukses filtrin kushtetues.
Me këtë rast, sjellim dhe një herë në vëmendje mesazhin e Presidentit të Republikës drejtuar deputetëve me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar dhe thirrjen e tij për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Kjo thirrje është e vlefshme edhe në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare.