Ktët të mërkurë u mbajt Samiti i Diasporës në Pallatin e Kongresit Tiranë, ku ka ndanë çmime dhe mbajti fjalën Presidenti Begaj.
Begaj u shpreh se arbëreshët janë thesar i paçmuar, arbëreshët ruajtën me krenari traditën dhe gjuhën e të parëve, duke shtuar se ndërtimi i një marrëdhënieje të re me arbëreshët duhet të përqendrohet edhe tek shkëmbimet.
“Është mbresëlënëse dhe unikale çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Historia e arbëreshëve është histori suksesi. Arbëreshët ruajtën me krenari traditën dhe gjuhën e të parëve. Kemi personalitet shumë të rëndësishme të Rilindjes tonë, në botë është e rrallë të ndeshesh një komunitet kaq unik si komuniteti arbëresh. Shumë popuj kanë dokumente të ruajtura, por ne kemi një komunitet të gjallë. Arbëreshët kanë mbajtur gjallë një pjesë thelbësore të shqiptarisë pa kërkuar asgjë në këmbim”, ka thënë ai.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij Kreu i Shtetit theksoi nevojën e hapjes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe arbëreshëve të Italisë.
“Veprimi ynë duhet të jetë imediat dhe përgjegjësi historike, sepse pasojat do të prekin edhe brezat e ardhshëm”, deklaroi ai. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e një platforme gjithëpërfshirëse për projekte konkrete në shërbim të forcimit të identitetit kombëtar, të ruajtjes dhe të përcjelljes së trashëgimisë tonë kulturore ndër breza.
Presidenti Begaj përgëzoi profesorët Francesco Altimari dhe Matteo Mandala për përkushtimin e tyre në hartimin e dosjes “Moti i Madh”, të dorëzuar për aplikim në UNESCO.
“Natyrisht, në kuadrin e bashkëpunimit nuk duhet të neglizhohet edhe bashkëpunimi ekonomik, i cili mund të zgjerohet në fusha, si: turizmi, kultura, bujqësia, industria ushqimore apo në fusha të tjera me interes të ndërsjellë”, u shpreh Begaj.
Si pjesë të bashkëpunimit të ri Presidenti propozoi edhe hapjen e një muzeu për Arbëreshët në Shqipëri.
”Ne shqiptarët kemi nevojë për të mos harruar. E kaluara, sidomos kur i mbijeton historisë dhe arrin në aktualitet, duhet mësuar. Shembulli i arbëreshëve duhet të jetë nxitje që sot të bëjmë më shumë për Shqipërinë, jo të përkëdhelim ndërgjegjen duke u krenuar me bëmat e brezave paraardhës. Ata e bënë të tyren. Tani është radha jonë”, - tha Begaj.