Analisti politik Afrim Krasniqi shprehet se liderët politikë shqiptarë janë të kënaqur që nuk morën miratimin për hapjen e negociatave.
Kjo vjen për faktin sepse ata nuk duan të jenë të monitoruar dhe të kontrolluar nga BE. Për ‘’A2 Neës’’, ai kritikoi deklaratat e kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm në detyrë Cakaj, të cilat treguan se vendi jonë ndodhet në një ‘’dalldi orientale’’.
‘’Ne s’e kemi bërë këtë gjë. Po dhe ligjërimi i përdorur nga kryeministri, sidomos dhe nga ministri i Jashtëm në detyrë, janë amatore. Vërtet Macron po përdor veten e tij ndaj Shqipërisë, por nuk është kundërshtar i Shqipërisë. Ai është nga liderët më të rëndësishëm të Europës, edhe në të ardhmen, sepse Franca e ka vendin e saj aty. Elita jonë politike dhe kulturore është frankofone, por asnjëra prej tyre nuk ka lobuar në Francë.
Unë personalisht besoj se liderët tanë janë të gëzuar që nuk e morën ftesën. Janë të gëzuar sepse s’kanë monitorim. Po të hapeshin negociatat do të kishte më shumë Bruksel,Berlin dhe Paris në Tiranë. Do të kishte më shumë kontrolle, më shumë raporte. Kur nuk janë këto instrumente, atëherë këta tanët adhurojnë modelin pa kontroll duke krijuar armikun e radhës’’, shton drejtori i ISP-së Krasniqi.
Sipas Krasniqit, në një vend serioz liderët dhe funksionarët publikë për gjuhën e ashpër të përdorur ndaj liderëve kritikë të BE-së do të shkarkoheshin.
‘’Pashë dje ligjërimet e zyrtarëve të administratës së publike dhe funksionarë të lartë që kanë përdour gjuhë fyese dhe denigruese ndaj liderët europianë që janë shprehur kritikë ndaj nesh, Në çdo vend serioz europian këta do të shkarkoheshin për 5 minuta. Këta investohen për të dëmtuar imazhin publik e Shqipërisë. Por, në momentin që kjo del nga goja e kryeministrit apo ministrit të Jashtëm kjo tregon se këtu ka dalldi orientale. Ne duhet të japim përgjigje të besueshme për kritikat. Shqipëria duhet të bëjë një reagim serioz shtetëror’’, bën me dije Krasniqi.