Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Becchetti rrezikon marrëveshjen për emigrantët: Kërkon 135 milionë eurot për Agon!

Shkruar nga Newsbomb
Becchetti rrezikon marrëveshjen për emigrantët: Kërkon 135

Biznesmeni italian Francesco Becchetti rrezikon të rrëzojë marrëveshjen që qeveria shqiptare ka dakordësuar më 6 Nëntor 2023 me palën italiane. Ai kërkon nga autoritetet e drejtësisë në vendin e tij, që të marrë 135 milionë eurot që Gjykata e Strasburgut i ka njohur për mbylljen e televizionit Agon Channel.

Mediat në vendin fqinj shkruajnë se Becchetti ka kërkuar përmes avokatëve të tij sekuestrimin e të gjitha shumave "deri në kufirin e rreth 135 milionë euro", që qeveria italiane është e angazhuar t'i paguajë Shqipërisë në bazë të protokollit të 6 nëntor 2023, shkruan newsbomb.al.

Gjykata Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), ka vendosur më datë 24 prill 2019 të dënojë Shqipërinë për të kompensuar dëmin me vlerë rreth 135 milionë euro për mbylljen e Agon Channel.

"Ky Vendimi," thotë Becchetti, "është përfundimtar, i detyrueshëm, zbatueshëm dhe ka një efekt të njëjtë si një vendim përfundimtar i dhënë në brendësi të një shteti. Megjithatë, qeveria Rama ka refuzuar të plotësojë atë që është vendosur nga vendimi i Gjykatës ICSID të Bankës Botërore, e cila është themeluar nga Konventa e Uashingtonit e vitit 1965."

Sipas avokatëve të biznesmenit, Gjykata "ka konstatuar me efektin e res judicata se Edi Rama dhe strukturat e tij qeveritare kanë ndërmarrë një fushatë politike me abuzim të pushtetit policor, duke shpikur akuza të pamotivuara kundër Becchettit, dhe ka konstatuar një sërë faktorësh që përfshijnë kryerjen e veprave penale, ende të pa ndjekura sot, të tilla si: bashkëpunim për krime, konkurrencë e paligjshme me dhunë ose kërcënim, detyrim me anë të kërcënimit, abuzim me detyrën, kryerje e veprimeve arbitrare, ekspertizë e rremë."

Shqipëria u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare për t'i kthyer Francesco Becchettit 120 milionë euro, shumë e cila bashkë me interesat dhe shpenzimet gjyqësore tashmë ka shkuar 135 milionë euro, shkruan newsbomb.al.

Vendim që Shqipëria ka kundërshtuar për 4 vjet, duke vazhduar, sipas avokatëve, "në eskalimin e persekutimit ndaj Becchetti në shkelje të rëndë dhe të përsëritur të detyrimeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Konventa ICSID dhe traktatet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut."

Ndodhur në këto kushte, biznesmeni italian i ka kërkuar qeverisë së vendit të tij më datë 8 Nëntor 2023, dy ditë pas marrëveshjes Rama-Meloni më 6 Nëntor, që të transferojë në llogarinë e tij paratë të cilat duhet t'i japë Shqipërisë për strehimin e emigrantëve që kapen në detin Mesdhe.

Agon Channel u lancua në Shqipëri në prill 2013 dhe nga viti 2014 transmetonte 24 orë në 24 çdo ditë të javës. Asnjëherë nuk kursente kritika të ashpra ndaj kryeministrit Rama. Kanali u mbyll në tetor 2015 pasi Becchetti u akuzua për pastrim parash, me pasoja të zbutjes së pasurisë dhe një urdhër arresti.

Biznesmeni italian ju drejtua Gjykatës së Arbitrazhit dhe fitoi 120 milionë euro, por që prej atëherë ai nuk ka marrë asnjë cent nga Shqipëria, shkruan newsbomb.al.

Dy vite më parë, në Shkurt 2022 Francesco Becchetti është dënuar me 17 vite burg nga Gjykata e Tiranës duke u shpallur fajtor se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese