Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi të premten të vendosë sanksione ndaj 33 individëve dhe dy entiteteve të lidhura me vdekjen e liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny.
Në deklaratën e BE-së thuhet se sanksionet e reja përfshijnë kolonitë penale ku mbahej Alexei Navalny si dhe zyrtarë të lartë nga sistemi gjyqësor i Rusisë.
“Vrasja e Alexei Navalny nga regjimi i Kremlinit është një kujtesë e ashpër e shpërfilljes së tij të plotë për jetën njerëzore,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Sanksionet e sotme demonstrojnë vendosmërinë tonë për t’i kërkuar Rusisë të mbajë përgjegjësi për shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Rusi,” shtoi ai.
Kujtojmë që Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus brenda Rrethit Arktik. Autoritetet thanë se ai kishte dalë për një shëtitje në ambientet e burgut, ndërsa në një moment nuk ishte ndjerë mirë, kishte humbur ndjenjat dhe më pas u raportua vdekja e tij.
Alexei Navalny jetoi dhe vdiq duke luftuar kundër regjimit të Vladimir Putin dhe korrupsionit të tij. Ai ishte njeriu i vetëm i aftë të nxirrte dhjetëra mijëra në rrugë duke bërë thirrje për një Rusi pa Putin dhe njeriu i vetëm që presidenti i Rusisë refuzoi të përmendte me emër.
Navalny për disa vite u bë “ferri” i Putinit, pasi nuk ndalonte pavarësisht arrestimeve apo paraqitjeve në gjykata, por gjithçka do të ndryshonte në 2020, ku u bë tentativa e parë për ta helmuar.
I helmuar gjatë një misioni në Tomsk
Navalny në 2020 po zhvillonte një vizitë në Siberi, ku po mblidhte disa fakte në lidhje me një çështje, kur u helmua në një dhomë hoteli. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua teksa ishte në fluturim për në Moskë.
Ai u dërgua me urgjencë në Berlin, ku ra në koma dhe iu deshën disa muaj që të rikuperohej gjendja e tij shëndetësore. Në një laborator ushtarak gjerman identifikoi helmin në fjalë. Ishte novichok, agjenti nervor i klasës së armëve.
Helmimi në burg
Në prill të 2023 Navalny u përballur me dhimbje të forta stomaku në burg që dyshohej se ishin si rezultat i helmit me veprim të ngadaltë. Ai u dërgua në spital, pas thirrjeve të SHBA, e cila paralajmëroi se nëse Navalny do të vdiste në burg do të mbanin përgjegjësi.
Burgosja e Navalny
Navalny ka qenë në burg që nga viti 2021 dhe në dhjetor ai u transferua në një koloni penale arktike në Siberi. Akuzat kundër Navalny, një prej kritikëve më të zhurmshëm të Vladimir Putinit, shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.
Ai fillimisht u dënua me tre vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht. Në shkurt 2022, ai u vu sërish në gjyq. Këtë herë u akuzua se vodhi 4.7 milion dollarë (3.5 milion £) donacione të dhëna për organizatat e tij politike.
Ai u shpall fajtor dhe u urdhërua të kalonte nëntë vjet në një “koloni penale të regjimit të rreptë”. Dhe në gusht të vitit të kaluar, ky dënim u zgjat në 19 vjet pasi ai u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, akuza që ai i ka mohuar.