Bashkimi Europian do t’i japë Shqipërisë rreth 145.651 vaksina Pfizer, si pjesë e ndihmës së Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave është dhe Shqipëria. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama.
“Shqipëria siguron dozën e dytë më të madhe nga kontrata e Bashkimit Europian me 6 vendet e rajonit për vaksinat Pfizer që BE do të shpërndajë në rajon.
Plot 145 mijë vaksina nga 651 mijë gjithsej për Ballkanin Perëndimor, do t’i marrë Shqipëria, kështu që herë tjetër mos të nxitohen analistêt gjithologë dhe politikanët llogjellogë, kur gjykojnë qëndrimet e mia ndaj BE, në emër të popullit shqiptar.
Shumë faleminderit Komisionit Europian, Presidentes Von der Leyen, Komisionerit Varheley dhe ambasadorit Soreca, që e dēgjuan, repsektuan e përsëri po e ndihmojnë Shqipërinë, si miq të çmuar të këtij populli”, shkruan Rama.
Në bazë të marrëveshjes së Komisionit Europian dhe Austrisë, rreth 651.000 doza BioNTech/ Pfizer do të shpërndahen për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, prej të cilave Shqipëria do të marrë 145.651 doza.
Shpërndarja e parë për gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor pritet në maj, me dorëzime të rregullta që do të vazhdojnë deri në muajin gusht. Të gjitha dozat e shpërndara do të financohen nga Komisioni Europian dhe do të ndahen me ndihmën e Austrisë.