Komisioni Europian ndau 500 milionë euro me Aktin për Mbështetjen e Prodhimit të Municioneve (ASAP). Kjo do të lejojë industrinë evropiane të mbrojtjes të rrisë kapacitetin e saj të prodhimit të municioneve në 2 milion predha në vit deri në fund të 2025.
Komisioni gjithashtu lançoi Programin e Punës për instrumentin për përforcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes përmes prokurimit të përbashkët (EDIRPA) dhe programin e katërt vjetor të punës të Fondit Evropian të Mbrojtjes (EDF).
Së bashku, këto programe kanë një buxhet prej gati 2 miliardë euro. Hapat e sotëm drejt përforcimit të bazës teknologjike dhe industriale evropiane të mbrojtjes janë ndërmarrë në vazhdën e miratimit të Strategjisë së parë Industriale të Mbrojtjes Evropiane (EDIS) dhe propozimit shoqërues për një Program Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (EDIP).
500 milionë euro për të rritur kapacitetin e prodhimit të municioneve në 2 milionë në vit
Me mbështetjen e ASAP-it, Evropa pritet të arrijë një kapacitet vjetor të prodhimit të predhave të municionit prej 2 milionë deri në fund të vitit 2025 .
Projektet e përzgjedhura mbulojnë pesë fusha: eksplozivë, pluhur, predha, raketa dhe certifikim testimi dhe rindërtimi. Projektet do të financohen me 513 milionë euro nga buxhetet e BE-së dhe Norvegjisë. Ky financim do të nxisë investime shtesë nga industria përmes bashkëfinancimit, duke rezultuar në një investim total prej rreth 1.4 miliardë euro në zinxhirin e furnizimit.
Programi do të mbështesë projekte që rrisin kapacitetin vjetor të prodhimit me më shumë se 10 000 ton pluhur dhe me më shumë se 4 300 ton eksploziv. Për këtë qëllim, Unioni do të investojë 248 milionë euro në kapacitetin e prodhimit të pluhurit dhe 124 milionë euro në kapacitetin e prodhimit të eksplozivëve.
Kompanitë përfituese të financimit ASAP dhe zinxhirët e tyre të furnizimit janë të përhapura në të gjithë Bashkimin Evropian. Ofrohet mbështetje për forcimin e kapaciteteve ekzistuese prodhuese, si dhe për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Projektet e përfunduara do të rrisin reagimin dhe aftësinë e industrisë së mbrojtjes të Bashkimit, duke siguruar një furnizim më të shpejtë të municioneve dhe raketave në Evropë.
Marrëveshjet e grantit me aplikantët e përzgjedhur pritet të nënshkruhen në maj 2024.
Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian publikoi Strategjinë e parë Industriale të Mbrojtjes Evropiane të BE-së, e cila përcakton një vizion afatgjatë për forcimin e aftësive të saj të industrisë së mbrojtjes. Deri në vitin 2030, strategjia shpreson të garantojë që të paktën 35 për qind e tregut të mbrojtjes së BE-së do të vijë nga tregtia brenda Unionit. Procesi i lokalizimit evropian në prokurimin e mbrojtjes gjithashtu parashikohet të avancohet gradualisht, me pjesën e BE-së në buxhetin e prokurimit të mbrojtjes që pritet të arrijë të paktën 50 përqind deri në vitin 2030 dhe 60 për qind deri në 2035.