Tirana
clear sky
-4.5 ° C
-4.5 °
-4.5 °
74 %
1kmh
0 %
Mër
6 °
Enj
7 °
Pre
9 °
Sht
10 °
Die
10 °
E mërkurë, 8 Shkurt, 2023

BE i bën presion Serbisë për sanksionet kundër Rusisë

spot_img

Lajme të ngjashëm

Presioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë është duke u rritur, për shkak të refuzimit të Beogradit për t’i mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, thonë diplomatë evropianë.

Nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, BE-ja ka shprehur qartë pritjet që vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë integrimin në BE, t’i mbështesin qëndrimet e këtij blloku, duke i përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia, deri tash, i ka injoruar këto thirrje dhe kjo, si duket, e ka rritur zemërimin e disa vendeve anëtare të BE-së.

Për pasojë, thonë disa burime diplomatike në Bruksel, “praktikisht është ngrirë edhe procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE”.

Kjo dëshmohet edhe me faktin se, për më shumë se një vit, Serbia nuk ka hapur apo mbyllur asnjë kapitull në procesin e negociatave. Për hapjen apo mbylljen e tyre duhet pajtim i të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Dhe, disa vende, thonë diplomatët, “nuk duan që Serbia të shpërblehet me vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE, sikur të mos ketë ndodhur asgjë“.

Edhe Parlamenti Evropian, përmes një rezolute për strategjinë e re të zgjerimit, ka kërkuar që të kushtëzohen negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE me mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Presioni pritet të rritet edhe gjatë muajit dhjetor, kur në Tiranë do të mbahet një samit i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në deklaratën që pritet të miratohet atje, do të përsëritet thirrja për mbështetje të sanksioneve ndaj Rusisë.

Në draftin e deklaratës që ka parë Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet ndonjë vend me emër, por besohet se bëhet fjalë për Serbinë, e cila nuk i ka mbështetur ende sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

“Përderisa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, kërkojmë nga ta që të bëjnë përparim të shpejtë dhe domethënës drejt përshtatjes së plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe të veprojnë në përputhje me këtë, përfshirë edhe me masat restriktive të BE-së“, thuhet në draft-deklaratën që pritet të miratohet në samitin e 6 dhjetorit.

Serbia në atë samit, paralajmërojnë diplomatët, “do të jetë pak a shumë e izoluar, pasi është i vetmi shtet pjesëmarrës që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë“.

Zhgënjimi i disa vendeve të BE-së me Serbinë pritet të jetë edhe më i qartë në disa konkluza që do të miratohen për procesin e zgjerimit dhe të stabilizim-asociimit, më 13 dhjetor, nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Sipas draftit të konkluzave që kanë përgatitur vendet e BE-së, pritet të shprehet “shqetësim i thellë“ për “ecjen prapa” që ka bërë Serbia në përshtatjen e qëndrimeve të saj me ato të BE-së, sa u takon çështjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Në draft-konkluza, BE shpreh “pritje të fuqishme” nga Serbia që t’i përmbushë obligimet e marra në kuadër të kornizës negociuese me BE-në, si dhe të forcojë përshtatjen e saj me politikën e BE-së, përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë.

Po ashtu pritet që ky këshill i BE-së të mirëpresë faktin se Qeveria e re e Serbisë e ka cilësuar integrimin në BE si qëllim strategjik, por se do të kërkohet që kjo të ndiqet edhe me veprime konkrete.

“Sidomos në kontekstin e agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës, këshilli pret nga Serbia që të dëshmojë përkushtim të palëkundur ndaj BE-së dhe të angazhohet për parimet dhe vlerat tona të përbashkëta”, thuhet në draft-konkluza.

Sipas burimeve diplomatike, Bashkimi Evropian nuk mendon të ndërmarrë hapa formalë për pezullimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, por është i vetëdijshëm se negociatat nuk ka gjasa reale të vazhdojnë derisa Serbia nuk u bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Nga Serbia, vendet e BE-së presin po ashtu që të mos lejojë anashkalimin e sanksioneve kundër Rusisë përmes territorit të saj.

Serbia prej vitesh negocion anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë bashkëpunon edhe me Rusinë në disa fusha, përfshirë mbrojtjen.

Më shumë


spot_img









spot_img