Bashkimi Evropian do të përpiqet të krijojë një gjykatë të specializuar që do të hetojë dhe ndjek penalisht krimet e dyshuara të kryera nga Rusia në Ukrainë, ka thënë këtë të mërkurë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, duke përfshirë krimin e saj të agresionit kundër një shteti sovran. Dhe kjo është arsyeja pse, ndërkohë që vazhdojmë të mbështesim Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), ne po propozojmë krijimin e një gjykate të specializuar, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e agresionit të Rusisë”, tha Von der Leyen.
“Ne jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të marrë mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për këtë gjykatë të specializuar”, vijoi ajo.
Vlerësohet se më shumë se 20,000 civilë dhe më shumë se 100,000 personel ushtarak ukrainas janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha von der Leyen. “Rusia gjithashtu duhet të paguajë financiarisht për shkatërrimin që ka shkaktuar,” vijoi ajo, “dhe ne kemi mjetet për ta bërë Rusinë të paguajë.”
Dëmi i pësuar nga Ukraina vlerësohet në 600 miliardë euro, u shpreh von der Leyen. “Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë koston për rindërtimin e vendit,” shtoi ajo.