Bashkia e Tiranës në shënjestrën e SPAK, Rama shfaqet duke fotografuar kullat pas saj
Shkruar nga Newsbomb
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në llogarinë e tij një fotografi nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, teksa qëndron përballë Bashkisë së Tiranës. Me celularin në dorë, ai fotografon sheshin dhe kullat që kanë "mbirë" si kërpudha pas shiut prapa Bashkisë së Tiranës.
"Qyteti im i bukur" shkruan ai krah fotografisë, duke u bërë karshillëk qytetarëve dhe atyre që e kritikojnë për lejet e kullave të betonit që i kanë zënë frymën kryeqytetit.
Madje, si për ironi vinçat që po u japin dorën e fundit kullave vazhdojnë të punojnë ende. Kjo fotografi e tij vjen në një kohë kur Bashkia e Tiranës është vënë në shënjestrën e Prokurorisë së Posaçme dhe zyrat e shtëpitë e disa drejtuesve të saj janë bastisur.
Zyrtarë të lartë dhe bashkëpunëtorë të kryebashkiakut Erion Veliaj në institucionin që ai drejton, është paralajmëruar se do të bien shpejt në rrjetën e SPAK, për një sërë aferash që nisin me inceneratorin e Tiranës dhe përfundojnë me tendera e ndërtime kullash.
Një nga dosjet më të bujshme që lidhet me drejtorët e Veliaj është dhe ajo që ka marrë emrin "5D", e kallëzuar në SPAK nga Belind Këlliçi. Bëhet fjalë për një kompani dhe pesë drejtorë të Bashkisë së Tiranës, të cilët nga të punësuar në bashki, janë kthyer në ndërtues dhe biznesmenë që bëjnë pallate e hotele.
Javën e kaluar, analisti Baton Baton Haxhiu është shprehur se në ditët e javët në vazhdim Prokuroria e Posaçme do të godasë korrupsionin në nivele të larta të qeverisjes dhe veçanërisht në Bashkinë e Tiranës.
“[…] për shkak të korrupsionit që ka kaluar normat do goditet nga njerëzit që janë brenda SPAK. Do e shihni javën e ardhshme dhe javët në vijim. Shikoni veç çfarë do ndodhë me Bashkinë e Tiranës”, theksoi ndër të tjera analisti në TV Klan.
Megjithatë, pavarësisht këtyre aludimeve në media kryeministri ka zgjedhur Bashkinë e Tiranës dhe kullat në sfondin e saj për t'i bërë objekt të fotografisë së tij. A është vërtet i mahnitur Edi Rama, apo objektivin e kameras së celularit po e përdor për t'i treguar SPAK gjurmët e korrupsionit?!