Bashkia e Tiranës ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Tiranës, drejtorin e Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, si dhe shefin e Komisariatit Nr.4, Armir Bahollin për kryerjen e veprimeve arbitrare në kundërshtim me ligjin dhe për të penguar punonjësit shtetërore në kryerjen e detyrës së tyre të ligjshme.
Kallëzimi ka ardhur pas ‘’përplasjeve” që Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë ka patur me policinë për ndërtimin e një muri rrethues pranë Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, në Rrugën e Kavajës.
Akuza e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, firmosur nga Florenc Hoxha është formuluar për kryerjen e veprës penale “Kundërshtim I punjonjësve që kryen detyrë shtetërore ose shërbim publik” si dhe për “Shpërdorim Detyre”. Sipas kallëzimit, inspektorët e Grupit të Gatshëm të INUV-it, Lulzim Bardhi, Nikolin Malaj, Erenik Seci janë shoqëruar nga disa efektivë në komisariat pa iu komunikuar arsyeja si dhe kanë qëndruar plot 5 orë brenda.
Përveç kësaj INUV-i kallëzon edhe ndalimin e inspektorit Bernard Kapllani. “Inspektori i Lartë Bernard Kapllani, në ushtrim të detyrës së tij shtetërore, ka qenë present pranë rrugës “Kongresi I Manastirit”, ku ishte konstatuar më parë një ndërtim i paligjshëm “murrrethues”.
Inspektoriati vë në dijeni Prokurorinë se pas ankesës së shtetases Mirmisa Causholli u procedua me gjobë dhe më pas me vendimin për prishjen e objektit.
Më tej Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik bën me dije se ka njoftuar Komisariatin Nr.4 për të mbështetur aksionin, por nuk ka gjetur mbështetje për prishjen e murit rrethues të kundravajtësit Enver Doda. Përkundrazi komisariati ka arrestuar inspektorin e INUV-it Kapllanin.
Objekti I cili është bërë strumbullari I debateve politike dhe kallzimeve penale ndodhet në rrugën e Kavajës, në krah të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo e ka quajtur një sulm politik. "Policia me të gjithë ata që kanë në dorë zbatimin e ligjit, trupa ligj-zbatuese duhet absolutisht të refuzojë të bëhet urë e presionit politik të qeverisjes Rama. Unë i bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë me shpejtësi një rast të tillë, një rast abuzimi të detyrës nga Policia dhe urdhëruesit e saj. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare të marrin shënim së ç’po ndodh çdo ditë në Shqipëri, se si ligji godet atë që ka të pamundur, godet opozitën politikisht dhe fut në sqetull e mbron klientët apo institucionet e tij.", tha dje Bozdo.
Po kështu edhe Ministria e Mirëqënies Sociale ka reaguar për akuzat e bëra nga Bashkia e Tiranës, duke u shprehur se ky institucion nuk bëri asnjë qendër rinore në katër vjet, sot kërkon klube striptizmi. “Sot ndodhemi përballë një objekti publik, pronë e qytetarëve dhe taskapaguesve shqiptarë, i cili deri para pak kohësh funksiononte si një strip klub, një vend i skeduar nga Policia e Shtetit për aktivitete kriminale, si armëmbajtje pa leje, shpërndarje droge dhe prostitucion. Ndërsa sot, në këtë objekt po punohet për ta kthyer atë në një gjendje të jetueshme, për ta shndërruar në një ambient dhe hapësirë rinore për të rinjtë e Kryeqytetit”, thuhet në reagimin e ministrisë.