Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
Ai gjatë fjalës së tij, foli për vendimin e BE që nuk pranoi të hapte negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Rama u shpreh se jeta vazhdon dhe se bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat e Ballkanit Perëndimorë. Kreu i qeverisë ndër të tjera tha se duhet të “shkrihen” kufijtë midis vendeve të rajonit, për të rritur kështu ekonominë e vendeve.
“Se për mua nuk ka ndodhur përvec se BE ka dështuar përsëri të mbaj premtimin e riangazhimit dhe të jetë në qëndrimin e duhur. Jeta vazhdon dhe progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat sepse ai nuk është i imponuar nga jashtë, por nga brenda.
Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë të gatshme të shtyjnë pëpara pa rezerva sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e BE dhe nëse ne nuk e ndryshojmë dot mënyrën e funksionimit të BE në raport me ne, duhet të ndryshojmë mënyrën e funksionimit tonë në raport me njëri-tjetrin.
Shkrirja e kufijëve mes nesh për ta kthyer rajonin tonë në hapsirën e zbatimit të plotë të lirive të BE, liritë e njerezve, mallrave dhe kapitaleve. Do të vazhdojmë pa u ndalur sepse ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të fortë duke qëndruar të ndarë nga njëri-tjetri, përndryshe ne jemi të mëdhenj nëse me njeri tjetrin e kthejmë rajonin në një hapsirë të përbashkët ekonomike,” tha Rama ndër të tjera.