Hapësire reklamuese

Aktualitet

Bashkëpunimi me TKOBAP, studentët e Universitetit të Arteve të shqetësuar: Po diskriminohemi!

Shkruar nga Newsbomb
Bashkëpunimi me TKOBAP, studentët e Universitetit të Arteve

Këshilli Studentor i Universitetit të Arteve Tiranë i është drejtuar me një letër ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Këshilli Studentor nëpërmejt kësaj letre zyrtare ka shprehur shqetësimin në lidhje me politikat institucionale të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ku sipas tyre, përqasja e institucionit më të lartë dhe të vetëm artistik në vend i përjashton dhe diskriminon.

Ndër të tjera në letrën sqarohet se “Marrëveshja e bashkëpunimit të nënshkruar mes Universitetit te Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe TKOBAP e cila daton më 03/10/2019 nuk ndiqet me seriozitet nga TKOBAP.”

Shqetësimi i Këshillit Studentor lidhet me drejtorin artistik të TKOBAP, Jacopo Sipari di Pescasseroli, i cili siç sqarohet është më i përfshirë tek studentët Konservatorit të Salernos dhe Foggia (Itali), për pasojë sjell mosangazhimin e studentëve të universitetit.

Gjithashtu studentët shprehen se publikimi i audicioneve te TKOBAP publikohet fillimisht ne profilin e rrjetit social të drejtorit artisik, Jacopo Sipari, në gjuhën italiane, duke rënë ndesh me mospublikimin në të njëjtën kohë  në faqen zyrtare të TKOBAP.

I nderuar Z. Blendi Gonxhja,

Nëpërmjet kësaj letre, ne, Këshilli Studentor i Universitetit të Arteve Tiranë, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë mbi përqasjen e institucionit më të lartë dhe të vetëm artistik në vend, siç është Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Si pasojë e kësaj qasje, ne ndihemi të përjashtuar dhe të diskriminuar nga politikat institucionale.

Duke u nisur nga fakti se, Universiteti i Arteve është i vetmi institucion i arsimit të lartë në vend i cili diplomon artistë, si dhe anasjelltas, TKOBAP institucioni i vetëm kombëtar ku këta artistë mund të aderojnë, shprehim keqardhjen tonë si më poshtë:

Marrëveshja e bashkëpunimit të nënshkruar mes Universitetit te Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe TKOBAP e cila daton më 03/10/2019 nuk ndiqet me seriozitet nga TKOBAP.

Një nga shqetësimet tona është fakti i përfshirjes masive të studentëve të Konservatorit të Salernos dhe Foggia (Itali), ku drejtori artistik i TKOBAP, Jacopo Sipari di Pescasseroli aderon si pedagog i klasës së dirizhimit, dhe për pasojë mosangazhimi i studentëve të universitetit tonë. Kjo sjellje e njëanshme bie ndesh si fillim me parimet kombëtare dhe më pas, me ato të barazisë dhe mundësisë për të gjithë studentët tanë.

Mesa duket, TKOBAP e ka më të thjeshtë orientimin e taksapaguesve shqiptarë përkundrejt studentëve italianë sesa bashkëpunimin me Universitetin e Arteve Tiranë, i cili ndodhet jo më larg se 500 metra distancë.

Përpos këtij fenomeni, një sërë aspektesh janë bërë tashmë shqetësuese për ne. Publikimi i audicioneve te TKOBAP publikohet fillimisht ne profilin e rrjetit social të drejtorit artisik, Jacopo Sipari, në gjuhën italiane, duke rënë ndesh me mospublikimin në të njëjtën kohë  në faqen zyrtare të TKOBAP. Kjo qasje nuk na duket aspak serioze duke krijuar kushte dhe hapësira për diskutim rreth kritereve të cilat shpeshherë rezultojnë kontradiktore dhe të personalizuara.

Duke u ndodhur në keto kushte, ne ju drejtohemi me disa kërkesa mbi vlefshmërinë morale, juridike dhe profesionale të këtyre politikave që TKOBAP ndjek:

Sa të ligjshme janë njoftimet për vendet e reja të punës, të ofruara edhe për kandidatë të huaj?

A janë kontratat e punës me kohë të plotë për artistët e huaj të ligjshme, duke ju referuar Ligjit dhe Kushtetutës së Shqiperisë?

Sa i ligjshëm është njoftimi për vendet vakante në faqen personale të drejtorit artistik Jacopo Sipari në gjuhën italiane, duke qenë se kjo nuk paraqitet si nje shtojcë e faqes zyrtare të TKOBAP, i cili në dijenin tonë është i vetmi burim zyrtar?

A behet punësimi pranë TKOBAP me kërkesa të njejta për nivelin e studimit për secilin vend pune?

A janë ata zotërues të minimalisht nivelit B2 të gjuhës shqipe?

Me besimin se ju do të merrni në vëmendje dhe shqyrtim shqetësimin tonë, ju falenderojmë për kohën tuaj.

Me respekt, Këshilli Studentor i Universitetit të Arteve Tiranë.

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese