“Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla.” Kështu shkruan kreu i PD Lulzim Basha ndërsa publikon këtë video që tregon se si do të ndahet sipas tij, sipërfaqja ku është sot godina e Teatrit Kombëtar.
“ Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë”, shkruan Basha ndërsa replikon edhe njëherë me artistët të cilët janë dakord me ndërtimin e teatrit të ri.
“Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës ose tek Piramida. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës.
Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri!”, përmbyll reagimin e tij Basha.