Kryetari i Partistë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur mesditën e kësaj të hëne, grupin parlamentar të PD, dhe në fokusin e saj ka qenë ashtu si herët e fundit, qeverisja sipas tij që terrorizon shqiptarët.
Në fjalën e tij Basha vuri theksin te lidhjet kriminale të pushtetit me krimin, ndërsa sulmoi kryeministrin për tjetërsimin e premtimeve për votuesit.
“Qeveria e pafytyrë i braktisi premtimet, shndërroi ato siç bëri me energjinë. Po terrorizon mjekët dhe mësuesit nën preteksin e reformës. Kjo nuk është qeveria e votuar nga shqiptarët por një mashtrim i qartë. Duhet dhe do të jemi opozitë më e fortë. Natyrisht duke e bërë në sallën e kuvendit, do të qëndrojmë në tavanin e opozitarizmit duke u mbështetur në fakte. Qeveria oligarkike ka synim mbylljen e gojëve, mbulimin e skandaleve” tha Basha
“Shqiptarët e dinë dhe do ta shikojnë kur krimi lëshohet rrugëve për të kafshuar asetet publike. Ne jemi kontrolli dhe denoncimi i së keqes. Deputetët janë përgatitur për betejën e opozitës mes të cilave dekriminalizimi i Kuvendit dhe administratës, si një kauzë fisnike. Kauzë për të promovuar Shqipërinë e vlerave” tha Basha që përmendi gjithashtu rezolutën me PS, si dhe trafikun e zbuluar së fundmi të kokainës.
“Miratuam rezolutë konsensuale dhe do të jemi promotorë të zbatimit të saj, duke nisur nga puna menjëherë. Partnerët tanë do të na asistojnë. Sinjalizimi i gjermanëve, solli goditjen e grupit të kokainës, por trafiku nuk është zhbërë, por mbetet në përmasa të frikshme. Trafik droge me avion dhe me laboratorë kokaine kemi njohur vetëm në qeverisjen e Ramës dhe Metës. Bosët e narkotrafikut nuk janë shqetësuar” tha kreu i PD.