Hapësire reklamuese

Aktualitet

Basha letër bankave: Mos financoni PPP-të, pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit

Shkruar nga Newsbomb

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, u është drejtuar me një letër të gjitha bankave që operojnë në vend dhe Guvernatorit të Bankës se Shqipërisë për të shprehur shqetësimin e opozitës lidhur me përpjekjet e shumë aktorëve për të pastruar shuma të mëdha parash nëpërmjet aktiviteteve të licensuara apo të kontrolluara nga sektori publik.

 

Basha thekson se nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, janë prodhuar miliarda euro, një pjesë e të cilave “janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.”

Në letrën e tij, Basha vë në dukje paralajmërimet e vazhdueshme të opozitës se “sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme.”

Duke theksuar se jo çdo biznes i angazhuar në sektorin e ndërtimit kryen aktivitet të paligjshëm, kreu i opozitës, Lulzim Basha, shprehet se disa kompani kanë marrë leje ndërtimi dhe kontrata publike në nivele të tilla që nuk justifikohen as nga eksperiencat e tyre dhe as nga mundësitë financiare që ato kanë. Basha përmend si të tilla dy kontratat e fundit PPP për projektet rrugore Milot-Balldren dhe Orikum - Dukat.

“Të dyja kontratat publike, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private”, thuhet në letrën e kreut të opozitës për bankat e nivelit të dytë, te cilat paralajmërohen gjithashtu për rrezikun financiar nga bashkëpunimi me këto kompani, të përfshira në korrupsion me zyrtarët publikë.

“Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private, të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar projektet me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror, që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive.”

Duke vënë në dukje rëndësinë që ka për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar stabiliteti i sistemit bankar, lideri i opozitës shprehet se e vlerëson të arsyeshme të informojë çdo bankë për fatin e këtyre dy projekteve korruptive. “Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cënojnë interesin publik”, theksohet në letrën e Bashes, ku bankat vihen në dijeni për masat drastike të projektit të PD për goditjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave sapo të marrë votëbesimin e qytetarëve për të qeverisur vendin.

Basha shprehet se financimi i të tilla projekteve, që kanë si qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që s’duhet të lejohet, por do të përbënte dhe kriminalizimin e atij personi apo institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim.

“Ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke patur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare”, shkruan Basha, i cili thotë se mirëpret çdo propozim nga bankat për t’u bërë pjesë e programit për luftën ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Lideri i demokrateve shpreh vendosmërinë e tij dhe të opozitës që, me të njëjtën forcë goditëse ndaj fenomenit të korrupsionit e pastrimit të parave, me të njëjtën forcë e vullnet do të mbështesë këdo që beson në konkurencën dhe tregun e ndershëm.

“Ne mirëpresim çdo propozim që do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më të mirë në sektorin bankar në funksion të kreditimit të ekonomisë reale dhe jo asaj të mbështur në paratë e krimit dhe të korrupsionit”, shprehet kreu i opozitës Lulzim Basha në letrën drejtuar bankave të nivelit të dytë në vend dhe, për dijeni, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, për te cilën beson se, si institucion rregullator duhet të ketë rol aktiv në garantimin e integritetit dhe reputacionit të sistemit bakar, pavarësisht presioneve nga degët e tjera të pushtetit.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.