Hapësire reklamuese

Aktualitet

Bardhi shkresë Lindita Nikollës: ‘'Mazhoranca po krijon një Parlament autoritar''

Shkruar nga Newsbomb

Pas kaosit me flakadanë dhe zjarrit gjatë seancës së sotme plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit.

Gazmenet Bardhi e ka krahasuar sjelljen e Lindita Nikollës dhe mazhorancës me ato të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ndërsa thotë se ky i fundit “do ta ishte zili atë që po ndodh në Kuvend”.

Bardhi letrën e ka dërguar edhe në adresë të trupit diplomatik në Tiranë, ku ka theksuar se rrethimi i sallës së Kuvendit me rreth 60 gardistë është në shkelje të Rregullore së Kuvendit dhe se e ka shndërruar Parlamentin në sallë të Gardës së Republikës, duke intimiduar deputetët e opozitës me forca sigurie.

 

Shkresa e plotë e Bardhit drejtuar Nikollës dhe zyrtarëve ndërkombëtarë:

‘’Mazhoranca juaj socialiste ka vendosur të asgjësojë opozitën në Parlament duke i mohuar asaj të gjitha të drejtat që i njeh Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë. Përmes mohimit të të drejtës kushtetuese për kontroll parlamentar të Qeverisë, mosshqyrtimit të projektligjeve të deputetëve të opozitës, mohimit të të drejtës për të marrë përgjigje nga organet ekzekutive për çështje në interes të qytetarëve, apo mohimit të të drejtës për të caktuar ajo përfaqësuesit e vet në komisionet e posaçme parlamentare, praktikisht mazhoranca juaj po tenton të krijojë një Parlament njëpartiak, antidemokratik, autoritar dhe që dhunon hapur të drejtat e pakicës parlamentare.

Në vend të reflektimit dhe ndërmarrjes së iniciativës për futjen e Parlamentit në shinat e Kushtetutës dhe Rregullores, nga ana juaj personalisht është shtuar veprimtaria antiligjore, duke i dhënë urdhra të paligjshëm Gadës së Republikës, për të penguar deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre.

Fillimisht në shkelje të Rregullores së Parlamentit, që përcakton se ndaj një deputeti mund të merret një masë disiplinore, që përfshinë “mospjesmarrjen në Komisionet parlamentare dhe në seancë plenare”[1], ju urdhëruat Gardën e Republikës që të pengonte deputetët edhe që të futen në zyrat e tyre në Kryesinë e Kuvendit, që të aksesojnë zyrën e Protokollit në Kuvend, apo që të komunikojnë lirisht me mediat në sallën e posaçme në Kryesinë e Kuvendit. Këto masa shtypëse ndaj opozitës, jo vetëm nuk lejohen nga Rregullorja e Parlamentit, por përbëjnë ndërhyrjen më brutale që një Kryetar Kuvendi ka ndërmarrë në këto 32 vjet demokraci, duke krijuar perceptimin e shtetit policor, që pengon deputetët e opozitës të kryejnë funksionet e tyre, në mënyrë të lirë dhe të papenguar nga veprimet arbitrare të forcave të sigurisë.

Më pas me një akt të paprecedentë, përpara nisjes së disa seancave plenare, brenda sallës kanë qenë prezent mbi 60 punonjës të Gardës së Republikës, që pengonin deputetët të hynin dhe lëvizin lirisht në ambientet e sallës së seancës plenare. Ndërkohë që korridoret lidhëse me sallën, ishin të paaksesueshme për deputetët  e opozitës, për shkak të një prezence të paprecedentë të forcave të Gardës, që në total shkonin mbi 200 punonjës sigurie brenda dhe përrreth sallës ku deputetët ushtrojnë funksionet e tyre.

Në këtë mënyrë nga ana juaj, pasi keni tentuar të shuani opozitën në Parlament, përmes mohimit antikushtetues të të drejtave të saj, aktualisht keni kaluar në fazën e shndërrimit të Parlamentit në sallë të Gardës së Republikës, duke intimiduar deputetët e opozitës me forca sigurie, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Nisur nga përcaktimi i pikës 3, të nenit 122 të Rregullores së Kuvendit, ku saktësohet se “Punonjësit e Shërbimit të Sigurisë në Kuvend në sallën e zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të organeve të Kuvendit veprojnë vetëm me urdhër të Kryetarit ose të drejtuesit të seancës/mbledhjes”, bazuar në nenin 8 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Për statusin e deputetit”, i ndryshuar, kërkoj të na vihet në dispozicion një kopje e urdhrit tuaj që ka lejuar/urdhëruar punonjësit e forcave sepaciale të Gardës së Republikës që të futen brenda sallës së seancave plenare, pa asnjë shkak dhe pa ndodhur asnjë ngjarje që cënon sigurinë e cilitdo.

Së fundmi, më lejoni tju sjell në vëmendjen tuaj se intimidimi me forca sigurie i deputetëve të opozitës, është një veprim që edhe Koreja e Veriut dhe vetë Kim Jong-un do ta kishte zili. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duhet të përafrohet me standartet e vendeve të BE-së dhe jo me standartet e diktatorit të Koresë së Veriut! Në çdo rast më lejoni që në emër të deputetëve të opozitës t’ju siguroj ju dhe udhëheqësin tuaj shpirtëror Edi Rama, që do të mbeteni përjetësisht dhe në tentativë vetëm një kopje e shëmtuar dhe në miniaturë e Kim Jong-ut.'

Tensionet dhe kaosi në Kuvend ka filluar prej një muaji ku në seancën e 30 Tetorit debati degjeneroi me përplasje dhe dhunë fizike që në nisje të seancës plenare në Kuvend ku deputeti i PD, Bledjon Nallbati goditi me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina.

Lexo këtu: VIDEO/ Kuvendi ndërpret seancën, Bledion Nallbati sulmon fizikisht deputetin e PS

Kujtojmë se Nallbati fillimisht i është drejtuar karriges së deputetit socialist Vullnet Sinaj duke i shkulur mikrofonin, duke bërë që ky i fundit të ngrihet në këmbë. Pasi e shtyn, Nallbati e goditi me grusht, duke e kapur lehtë deputetin e PS.

Por ky nuk është rasti i vetëm i dhunës mes deputetëve. Opozitarët bllokuan dhe punimet e Komisioneve, mirëpo në komisionin  e Çështjeve Evropiane, më 10 Nëntor situata ka eskaluar mes dy deputetëve të Partisë Demokratike, Dashnor Sula dhe Kreshnik Çollakut, të cilët janë përplasur me njëri tjetërin.

‘’Ik o mashtrues, legen, servil’’ dhe ‘’Të pres fytin”, këto ishin disa nga ofendimet mes tyre. Është dashur ndërhyrja e gardës për të parandaluar një përplasje fizike mes dy deputetëve.

Lexo këtu: “Të pres fytin”, sherr mes deputetëve të PD: Ik o mashtrues, legen, servil!

Dhuna, flakadanët dhe tensionet nuk kane munguar në asnjë seancë. Sipas deputetëve opozitare kjo është mënyra e tyre e të protestuarit pasi pretendojnë se opozita nuk respektohet në Kuvend dhe sipas Bardhit nëse nuk ndodh një gjë e tillë nuk ka pse të mbahet seanca.

Në deklarata të përditshme ish kryeministri, Berisha ka ripërsëritur se është mazhoranca ajo që po i çon në veprime ekstreme dhe se janë provokatorët e këtij tensioni. Gjatë deklaratës së tij të premte 17 Nëntor ai paralajmëroi se sërish trazira: “Të hënën do ta bllokojmë fuqishëm Parlamenti”.

Lexo këtu: Berisha paralajmëron sërish trazira: Të hënën do ta bllokojmë fuqishëm Parlamentin

Por pavarësisht tensioneve, flakadanëve dhe zjarrit, Kuvendi e miratoi projektbuxheti për vitin 2024, me 74 vota pro.

Lexo këtu: Mes tymit dhe flakedanëve, miratohet Buxheti i Shtetit 2024

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese