Hapësire reklamuese

Politikë

Bardhi bojkotoi, Sali Berisha tenton "të ndezë" demokratët: Ja si rrëzohet Edi Rama

Shkruar nga Newsbomb
Bardhi bojkotoi, Sali Berisha tenton "të ndezë"

Lideri historik i PD dhe drejtuesi i Grupit të Rithemelimit, Sali Berisha ka tentuar në Kuvendin Kombëtar që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, të marrë nga demokratët mbështetje dhe bashkim për të nisur atë që ai e quan mosbindje civile për të rrëzuar Edi Ramën.

Ai ka mbajtur fjalimin për disa minuta, fjalimi i cili është shoqëruar me duartrokitje nga demokratët që ndodheshin në sallë. Edhe pse në këtë mbledhje Berisha do kërkojë votëbesimin për t’u zgjidhur kreu i PD, duket se në këtë Kuvend Kombëtar të PD, kanë munguar figura të rëndësishme të opozitës, siç është kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmet Bardhi.

Edhe pse Berisha dhe Bardhi kanë pasur shpesh takime me grupet që i mbështesin duket se sërish nuk është arritur një marrëveshje, pasi Bardhi, po jo vetëm dhe Ervin Salianji apo Agron Gjekmarkaj, si dhe fytyra të tjera kanë munguar në këtë mbledhje.

Pjesë nga fjala e Berishës

Edhe sot narkoregjimi i Edi Ramës do të zgjojë luanin e fjetur tek shqiptarët. Pse i thashë unë sot këto fjalë. I thashë sepse çdo shqiptar duhet të ndajë mendjen, se kjo nuk është një betejë politike, është një luftë për ekzistencën, për shpëtimin e kombit dhe Shqipërisë.

Ne nuk jemi kundër një partie, por kundër një partie shtet e zaptuar nga mafia shtetërore më e rrezikshme e Europës me në krye Edi Ramën. Kundër atyre që në 10 vite treguan se nuk dua pluralizëm, demokraci, shqiptarë. Jemi kundër armikut shqipëfolës, Edvin Kristaq Rama.

Me votë ai nuk ikën sepse votën e lirë nuk e lejon, sepse po la pushtetin ai përballet me përgjegjësinë e krimeve të tij të tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve këtë dekadë.

Çfarë mbetet për të bërë në këto rrethana?  Përgjigjen për këtë e kemi demonstruar në parlament, aksion pa kthim, mosbindje civile, aksion pa kthim gjer në fitore. 43 vetë jemi në parlament, vetëm një muaj kemi dhe me kaq veta, në kaq pak kohë, me betejën pa kthim dhe mosbindjen civile, ne fituam dy beteja kyçe.

Së pari i çorrëm maskën Edi Rama. E mbarë gjithë bota mësoi ditët e fundit, se Shqipëria një vend anëtar i NATO-s ka një kryeministër që ka bërë grusht shteti brenda shtetit.  U mohon të drejtat kushtetuese deputetëve, se për shkak të megavjedhjeve dhe lidhjeve të tij të tmerrshme me krimin nuk pranon kontrollin parlamentar, vetëm e vetëm se ka tmerr nga hetimi i tij.

Mbarë bota e pa se Edi Rama është një kryeministër që kalon buxhetin e shqiptarëve të të gjithë vitit, në 4 minuta, një kryeministër i cili fshihet prapa Gardës, njëlloj si bosët kryesorë të karteleve të drogës në Meksikë, Kolumbi apo vende të tjera.  Por të dashur delegate e delegatë, demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë! Mos prisni gjithçka nga delegatët e opozitës.

Ne në parlament po mbrojmë të drejtat tona kushtetuese, dhe të drejtat e 600 mijë qytetarëve që kanë votuar kundër qeverisë. Por sot çdo shqiptar ka të drejta të shkelura, është i grabitur nga qeveria është i agresuar nga shteti, prandaj përgjigja e gdo kujt duhet të jetë, aksion pa kthim me mosbindje civile. Mit’hat Frashëri ka thënë se ‘shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

Unë sot nga ky kuvend u bëj thirrjeve demokratëve, qytetarëve, aksion pa kthim për votën e lirë të shqiptarëve, aksion pa kthim ndaj armikut të identitetit tonë, mos bindje civile për liritë tona. Ne do të fitojmë. Ju bëj thirrje të gjithë opozitarëve, jo vetëm atyre demokratë.

Ne mund të jemi të ndryshëm, por Edi Rama është armiku ynë i përbashkët. Mos mendoni se Edi Rama rrëzohet me fjalime, deklarata apo me zgjedhje. Prandaj ju ftoj të bashkoheni në aksionin pa kthim me mosbindje civile për shpëtimin e demokracisë, ne do të fitojmë.  U bëj thirrje qytetarëve, dhe veçanërisht atyre pa parti.

Pluralizmi politik është i juaji. Paratë e inceneratorëve që vjedh Rama e Veliaj janë tuajat. Ato 1 mln shqiptarët që kanë ikur, janë fëmijët, vëllezërit, motrat tuaja.  Krimi që sundon ju kanos edhe ju, apo të dashurit tuaj. Heshtja juaj është aleati më i fortë i Edi Ramës dhe narko regjimit të tij, prandaj thirrja ime për ju, për të ardhmen tuaj, të ngrihemi në mosbindje civile. Aksion pa kthim. Ne do të fitojmë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese