Hapësire reklamuese

Social Bomb

Bamirësia që vret

Shkruar nga Newsbomb

Nga Edmond Arizaj

Bamirësia televizive, a rrjeteve sociale, është kthyer në një pistoletë drejtuar shtresës së mesme dhe më vitale të shoqërisë. Me dashje apo pa dashje. Kjo lloj mode e ndihmës po kërcënon pjesën që teorikisht duhet të jetë shtylla që mban një shoqëri, një shtet, që rrit frymën e kundërshtimit ndaj autokracive, ndaj padrejtësive, ndaj injorancës.

E që në fakt, prej vitesh zgjedh vetëm të ulë kokën, apo të largohet. Pse? Ka plot faktorë, por natyrshëm, ashtu si mungesa e këmbanës në kishë, financa, paratë janë kryesorja. U lodha kokën? Ju mërzita? Kur do dal tek lidhja e bamirësisë me shtresën e mesme? Ja, menjëherë. Kur një familje me tre -katër vetë, me punë relativisht të mira dhe më vetëm një-dy fëmijë për të rritur, me një kredi bankare për shtëpinë (në rastin më të mirë) çfarë mendon kur sheh nga mëngjesi në darkë njerëz (bamirës) që u çojnë qese me ushqime disa familjarëve që qajnë, apo u ndërtojne për një javë një shtëpi? Çfarë mendojnë kur emisione të pafundta televizive, nga televizione lokale deri kombëtare, japin përditë, përditë e perditë, njerëz që luten, që kërkojnë, që lotojnë, që falenderojnë dhe më pas heronjtë bamirës që ua plotesojnë? Çfarë mendojnë kur në rrjete sociale shohin perdite dhe perdite dhe perdite skamje, sklepa ne sy, buke te rregjur ne uje, femije qe vuajnë, nëna që kërkojnë bukë për kalmajtë? Bukë, bukë, bukë. Çfarë mendoni ju se mendojnë?

Sipas meje mëndojnë gjenë më të dhimbshme për këtë vend: paska dhe më keq. (Shoqëruar me o sa keq, Zoti i ndihmoftë, qeveri e poshtër, etj). Paska dhe më keq dhe mblidhu si iriq. Paska dhe më keq dhe shif vetëm pllakat e shtëpisë tënde. Paska dhe më keq, e thuaj “shshshttt” kur do të ulërasësh. E pra, kjo për mua është pistoleta e drejtuar në kokën e shtresës së mesme, me kërcënimin e pashprehur: mos, se do përfundosh si ata; kujdes në hapat që hedh se neseër mund të jesh ti që do lotosh, e do të vinë të të sjellin qesen me ushqime.

Mos kërko ta bësh më mirë, se do jetë më keq. E kjo pistoletë drejtuar në kokë, e ndrydh këtë shtresë, e frikëson, e bën pelte që mund t’i japësh çdo lloj forme, nga kushdo që ka sadopak pushtet. Dhe rri urtë kjo shtresë. Rri urtë, se ja, ka me keq. Rri urtë, megjitheëse çdo vit i treten të drejtat. Rri urtë megjithëse çdo vit nuk ndjen përfitimin e punës, apo shijen e karrierës nga aftësitë. Rri urtë megjithëse fyhet përditë nga injorantët. Por rri urtë se ka dhe më keq. E japin gjithë televizionet. E tregojnë gjithë rrjetet sociale. Sikur kemi hyrë në një matrix bamirësie, jo për të kryer bamirësi siç e duan ligjet e njerëzillëkut e të fesë, por siç u intereson atyre lartë, të gjithëve me rradhë. Shtresa e mesme nuk ka parë kurrë në burg një të shtresës së lartë prej 30 vjetësh. Sepse edhe burgun e mbush po shtresa e mesme dhe e ulët e kriminelëve.

Bamirësia është kthyer në vegël për të ndihmuar shtresën e lartë, duke u dhënë thërrime skamorëve, e duke ua marrë fytyrat dhe lotët për të kërcënuar shtresën e mesme. Mos flisni se ka dhe më keq. Mos protestoni se ka dhe më keq. Mos u ankoni se ka dhe më keq. Mos ngrini zërin se ka dhe më keq... Unë nuk e kam dashur kurrë bamiresine televizive. Në vite kam shkruar kundër saj si fyerje e dinjitetit të njeriut, poshtërimit madje.

Nuk zgjidhet kurrë skamja me qeska me bukë brenda reklamuar nga sebepçinjtë që kujdesen mos u baltosen këpucët lustrafine, por me libra, me strategji, me politika afatmesme e afatgjata. Sot bamirësia ka kaluar në dorë të politikës. Është bërë e frikshme. Është bërë kërcënuese. Është bërë shfrytëzuese e paskrupullt. E shtresës së mesme i mbeten pak shtigje, më e lehta është të ulë kokën dhe të heshtë. Politika ka vrarë në këtë vend, krimi po, varfëria po, klandestiniteti. Tani po vret dhe bamirësia. Po vret edhe atë pak protestë që mund të ketë mbetur diku. Me dashje, apo pa dashje.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll