Zëvëndëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë Samitit të tretë të Diasporës në Tiranë, paraqiti të gjitha sukseset e këtyre viteve të qeverisë në fushën e digjitalizimit dhe inovacionit. Objektivi i qeverisë ka qenë që më herët digjitalizimi i shërbimeve.
Balluku tha se është bërë e mundur që pothuajse të gjitha shërbimet në pushtetin lokal dhe qëndror të kthehen në shërbime digjitale. Gjithashtu ajo tha se kjo ditë duhet të shërbejë si thirrje që bashkëpunimet të mos jenë vetëm në ditë të caktuara.
“Kjo data e sotme duhet të na shërbejë që duhet të bashkëpunojmë me njëri tjetrin dhe të mos humbasim deri në samitin e ardhshëm. Ne sot 99% të shërbimeve i ofrojmë online. Shqipëria është lidere e rajonit, Shqipëria ka një rol udhëheqës në rajon, luan një rol ekilibrues për rajonin dhe është kthyer shembull për Ballkanin se si një vend i vogël, i dalë nga një e shkuar e paprecedentë, sepse asnjë vend nuk e ka pasur regjimin totalitar si ne.
Ne kemi arritur 10 milionë turistë këtë vit.Ne nuk garojmë me askënd tjetër, ne garojmë me kohën dhe veten. Shqipëria ka humbur shumë kohë, ndaj duhet të jetë me inovative se vendet e tjera, i duhet të kapë sekondat që kalojnë”, tha ajo.
Ndër të tjera ministrja u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në Diasporë, t’i kthejnë sytë nga vendi dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të tij në të gjitha fushat.
“Të gjithë shqiptarët në Diasporë duhet t’i kthejnë sytë nga vendi. Disa kanë vendosur të kthehen në atdhe, sepse jeta është e mirë, është pozitive. Ktheni sytë nga Shqipëria pasi “guri i rëndë” peshon në vend të vet”, u shpreh Balluku.