Hapësire reklamuese

Aktualitet

Balluku: Menaxhuam situatën e shkaktuar nga moti i keq, investimet dhe masat e marra në kohën e duhur ndikuan pozitivisht

Shkruar nga Newsbomb

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar në terren një nga ndërhyrjet e grupeve të OSHEE.

E shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela dhe Drejtori Rajonal i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), Klevis Jahja, ministrja ishte në zonën e Farkës ku po punohet për riparimin e defektit që shkaktoi shembja e një masivi dheu, i cili dëmtoi 4 daljet e para të katër fiderave, që furnizojnë me energji zonën e Sanatoriumit, Qytetin Studentin si dhe zonën përreth.

Drejtori Jahja sqaroi se janë marrë masat për furnizimin e këtyre zonave përmes nënstacioneve të tjera, ndërsa grupet e punës po punojnë për riparimin e defektit për t’a kthyer situatën në normalitet të plotë brenda një kohe sa më të shpejtë.

Administratori Çela bëri të ditur se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kaluar në gjendjen e gatishmërisë që para festave të fund vitit, ndërsa janë 1700 punonjës të angazhuar në terren në të gjithë vendin. Po kështu, është ngritur shtabi qendror për menaxhimin e situatës në Drejtorinë Qendrore dhe drejtoritë rajonale të cilat janë në komunikim të vazhdueshëm duke bashkërenduar punën.

“Në qoftë se kemi pasur një gatishmëri dhe një cilësi furnizimi të mirë gjithë këtyre ditëve, kjo është falë atyre investimeve që kemi bërë gjatë këtyre viteve. Unë bëj krahasimin me periudhën para 3-4 vitesh, ku numri i defekteve dhe koha e rikuperimit ishte shumë herë më e madhe sesa e kemi sot. Ato investime që ne kemi kryer kanë bërë të mundur sot që ne jo vetëm të kemi numër më të vogël defektesh, por dhe rikuperimin e defekteve ta bëjmë shumë më shpejt. Pra në një kohë kaq të shkurtër, në qoftë se na duheshin ditë më parë, sot ne brenda ditës e rikuperojmë defektin”, u shpreh Çela.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi se e gjithë situata u menaxhua në mënyrën më të mirë të mundshme, falë masave të marra në kohën e duhur, duke shmangur në këtë mënyrë një rëndim të mëtejshëm të gjendjes.

“Kjo situatë ka sjellë avari jo të vogla në të gjithë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, por rëndësi ka që është menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer dhe jo vetëm shpërndarja tek abonentët, por dhe tek bizneset. Por çfarë ka qenë më e rëndësishme, gjatë këtyre ditëve kemi bërë furnizimin në mënyrë perfekte në të gjithë hidrovorët”, theksoi Balluku.

Ministrja vlerësoi investimet që janë bërë në mënyrë të studiuar vitet e fundit, pa të cilat situata do të kishte qenë e vështirë për t’u përballuar, ndërsa përgëzoi edhe agjencitë e tjera të sektorit energjitik, por edhe të infrastrukturës për angazhimin maksimal në përballimin e situatës.

“Tani duhet të rikuperojmë të gjitha dëmet që janë krijuar, qoftë në sistemin energjetik, qoftë në atë rrugor. Sigurisht në zonat e thella, të cilat kanë edhe reshjet e dëborës, është e nevojshme që të ketë një fokus më të madh në ditët në vazhdim dhe do ta bëjmë. Të gjitha ndërmarrjet e varësisë, agjencitë dhe gjithçka tjetër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë punuar sahat dhe kjo është diçka për të cilën duhen përgëzuar drejtuesit e këtyre agjencive, por edhe punonjësit nga i pari tek i fundit, të cilët kanë sakrifikuar dhe ndodhen në këto momente në terren”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në ditët në vijim, sipas parashikimeve, pritet të ketë një ulje të temperaturave, për këtë arsye grupet e punës së OSHEE janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku do të evidentohen problematika.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll