Hapësire reklamuese

Politikë

Balluku: Masat e marra në kohë dhe mirë menaxhimi i kaskadës së Drinit shmangën rëndimin e mëtejshëm të situatës së përmbytjeve

Shkruar nga Newsbomb
Pamje te shperndara nga Ministria

Menaxhimi i Kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Drin si dhe masat e marra më herët, kanë shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bën të ditur se në sajë të angazhimit të të gjithë aktorëve u bë e mundur evitimi i rëndimit të mëtejshëm të situatës në ultësirat e Shkodrës dhe Lezhës.

Në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atë të Komanit është rritur prodhimi duke arritur në kapacitetet maksimale ndërkohë që hidrocentrali i Fierzës është mbajtur jashtë pune për të bërë të mundur grumbullimin e rezervave hidrike për periudhën në vijim.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë thekson në reagimin e saj se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri deri në normalizimin e plotë të gjendjes.

“Situata e motit të përkeqësuar nuk na gjeti të papërgatitur. Në sajë të masave të marra në momentin e duhur dhe falë menaxhimit të integruar të punës me të gjithë aktorët në kaskadën e hidrocentraleve që ngrihen mbi lumin Drin, ja dolëm të shmangim një rëndim të mëtejshëm të situatës në zonën e Shkodrës dhe Lezhës.

Në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atë të Komanit rritëm prodhimin, duke arritur në kapacitetet maksimale, ndërkohë kemi mbajtur jashtë pune Fierzën duke grumbulluar rezerva hidrike. Përmes një koordinimi korrekt dhe në zbatim të Rregullores së Plotave në kaskadën e Drinit evituam një rrezik potencial, por njëkohësisht duke e kthyer në një rast efiçent të maksimizimit të performancës së #KESH. Në çdo moment në monitorim dhe gatishmëri deri në normalizimin e situatës”, shprehet Balluku.

Prodhimi ditor i energjisë është më shumë se dyfishuar duke arritur ne rreth 19 milion kWh. Ndërkohë shkarkimet jashtë agregateve kanë qenë minimale dhe të kontrolluara. Koordinimi ka qenë gjithmonë korrekt dhe në zbatim të Rregullores së Plotave në kaskadën e Drinit.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll