
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbajti sot fjalën në Kongresin e Partisë Socialiste.
Balluku deklaroi se së shpejti do të nisë ndërtimi i linjës nënujore energjetike me Italinë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se para pak ditësh është arritur dakordësia me qeverinë italiane dhe operatorët e transmetimit të dy vendeve, përfshirë edhe një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, Emiratet e Bashkuara, që kanë vendosur të jenë pjesë e projektit tonë.
“Kemi nisur të ngjizim projektin më të rëndëshim energjitik për dekadën, linjën e transmetimit nënujor mes Shqipërisë dhe Italisë. Unë e di që kundërshtarët tanë mërziten, sepse i kanë trumbetuar këto projekte, si tunelin e Llogorasë, linjën e interkonjeksionit, aeroportin, portet dhe nuk arritën ti bënin kurrë se ishin shumë të zënë me zullumet e tyre”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, kjo linjë transmetimi që ka nisur ngjizjen me siguri do të jetë një nga projektet më të suksesshme deri në vitin 2030. Ajo u ndal në zhvillimet në infrastrukturë.
“Kemi nisur projekte të shumta që sot janë të dukshme e të prekshme kudo në vendin tonë, duke nisur nga korridoret e rëndësishme të infrastrukturës, që nuk janë thjeshtë rrugë të territorit shqiptar, por janë korridoret paneuropiane, si rasti i korridorit Blu, ku një pjesë e trasesë është e ngritur. Nga ana tjetër të gjitha kontratat që do të vijojnë janë në fazat e avancuara. Gjithashtu pas një pune të fortë për të bindur KE, kemi arritur që korridori 8 të jetë pjesë e rrjeteve paneuropiane të transportit”, u shpreh zv/kryeministrja.