
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka vizituar mbrëmjen e kësaj të mërkure 50 të moshuarit të cilëve iu rrezikua jeta gjatë zjarrit që përfshiu katin e dytë të azilit në Fier ku dhe ata po qëndronin.
Balla është ndalur në spitalin rajonal të Fierit ku dhe ka parë nga afër gjendjen shëndetësore të së moshuarve. Ministri tha se gjendja e tyre është e mirë dhe falenderoi Policinë e Shtetit, forcat zjarrfikëse, punonjësit e Shtëpisë së të Moshuarave për ndërhyrjen në kohë, gjë që solli neutralizimin e flakëve si dhe parandalimin e një tragjedie.
Gjithashtu, ministri Balla ka publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, pamje nga operacioni i shuarjes së flakëve. Balla shkruan se nga hetimet e deritanishme rezulton se zjarri ka ardhur nga jashtë ndërtesës së Shtëpisë së të Moshuarve.
"Një zjarr që erdhi nga jashtë ndërtesës të Shtëpisë së Moshuarve Fier, sipas hetimit të deritanishëm, vuri në rrezik jetën e banorëve të kësaj Shtëpie. U shpreh mirënjohjen time forcave të Policisë së Shtetit veçanërisht djemve dhe vajzave të Njësisë Shqiponja, forcave Zjarrfikëse dhe punonjësve të Shtëpisë së Moshuarve për veprimet e menjëhershme dhe shmangien e rrezikut", shkruan Balla.