Ka nisur me akuza puna e komisionit hetimor për largimet në administratë. Deputeti Taulant Balla ka hedhur sot akuza të ashpra në drejtim të Bashkisë së Tiranës dhe disa bashkive e komunave në vend.
“Kemi prova që elementë kriminalë të larguar nga administrata shtetërore, strehohen në Bashkinë e Tiranës, ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime, Bashkinë Kamëz, Bashkinë Mamurras, Bashkinë Shkodër, Bahskinë Vorë, Komunat, Paskuqan, Petrelë, Bërzhitë, Farkë, Kashar dhe Bashkinë Rroskovec”, ka akuzuar Balla, në prani të pjestarëve të komisionit, edhe nga opozita. Po kështu Balla ka bërë akuzë të ashpër kundër kreut të Opozitës, Lulzim Basha. “Në kohën kur kreu i PD-së ishte ministër i Jashtëm është bërë transport droge me makinat e Ministrisë së Jashtme”, ka thënë Balla.
Balla solli në vëmendje të komisionit se maxhoranca ka qenë dakord për ngritjen e komisionit që në tetor. ”Vendimi për ngritjen e komisionit është bërë në fund të tetorit, por ju s’mund të merrnit pjesë në mbledhje se ishit në bojkot, që do të thotë se maxhoranca e ka ngritur para kërkesës suaj dhe se po heton këtë çështje. Ne 4 anëtarët e PS dhe LSI, mezi presin të hyjmë në detaje të punës së këtij komisioni. Miratojmë rregulloren dhe planin e hetimit”, ka përfunduar Balla