Ditën e sotme Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se do të nisin hetimet për videon që publikoi ish-deputetja e PD, Oriola Pampuri, e cila shprehet se në ‘shëndetësinë falas’ të Edi Ramës, shqiptarët blejnë vetë nga ushqimi deri tek respiratorët’.
Ballës i është përgjigjur ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, shkruan se ‘Edi Rama dhe surrogati i tij Taulant Balla mund të shajnë e mallkojnë gjithë ditën, por nuk e ndalojnë dot opozitën dhe qytetarët të ngrenë zërin kundër braktisjes dhe padrejtësive të qeverisë’.
Ndër të tjera ajo shkruan se Shqipëria është sot një zonë e kuqe COVID dhe i izoluar nga Europa.
Postimi i plotë i Vokshit:
Taulant Balla ka shpërndarë sot një fletërrufe të shkruar nga Edi Rama kundër opozitës dhe me gjuhë urrejtje kundër koleges Orjola Pampuri vetëm pse ajo përballi me fakte të vërtetën e dështimit të qeverisë përballë pandemisë.
- Është fakt që Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë.
- Është fakt që Shqipëria është ndër 4 vendet e para për vdekjet ditore.
- Është fakt se Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të përhapjes së rasteve të reja.
- Është fakt se propaganda shfaq spitale si në Zvicër, ndërsa qytetarët blejnë edhe respiratorë.
Edi Rama dhe surrogati i tij Taulant Balla mund të shajnë e mallkojnë gjithë ditën, por nuk e ndalojnë dot opozitën dhe qytetarët të ngrenë zërin kundër braktisjes dhe padrejtësive të qeverisë.
Shqipëria është sot një zonë e kuqe COVID dhe i izoluar nga Europa, sepse qeveria e Taulant Ballës kishte prioritet vjedhjen me tendera sekretë, jo bërjen e testimeve masive dhe marrjen e masave të tjera për mospërhapjen e virusit.