Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj bekon dhe uron gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin. Nëpërmjet këtij mesazhi, Baba Mondi lutet për nevojën e qetësimit të shpirtrave, që kjo ditë e bekuar që vjen pas agjërimit, të shtojë më shumë dashurinë tek i Madhi Zot.
Që Fitër Bajrami, thotë ai, të rrisë harmoninë e vëllazërinë mes njerëzve, humanizmin, respektin e ndërsjelltë dhe angazhimin shpirtëror e fizik, për të evituar veset e këqija, smirën, sherret, konfliktet e të gjitha formave, unitet në përballimin e sfidave, në mënyrë që ditë më të bukura të vijnë.
“Të dashur vëllezër e motra, besimtarë myslimanë! U uroj të gjithëve nga zemra ‘Gëzuar për shumë vite festën e bekuar të Fiter Bajramit’! Nëpërmjet agjërimit, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, ne gjetëm e përjetuam një ndjenjë paqe, shërimi shpirtëror, testuam forcën për përkushtimin ndaj Zotit.
Le të na shërbej kjo periudhë dhe kjo ditë e bekuar e ditës së sotme, që të bashkohemi në një lutje për më shumë shpresë e paqe, të lutemi që luftërat e konfliktet e dhunshme kudo ku janë, të pushojnë, të mbushen zemrat e njerëzve me dashuri dhe të mos humbin më jetë njerëzish të pafajshëm, të kemi ditë më të mira e harmoni, solidaritet e dhembshuri.
Paqja dhe bekimet e Zotit të Madh, qofshin mbi gjithë ata që agjëruan moralisht, shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe mbi gjithë të tjerët, jo myslimanë të cilët me mirësitë e tyre na i bënë më të lehtë këtë muaj.
Ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë Bajrami në familjet tuaja! Paçi mirësi, begati e harmoni dhe Zoti ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fiter Bajramin", thuhet në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian.