
Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçi ka bërë ankimimin në GJKKO për vendimin e ministres Gjonaj për izolimin në regjimin “41 BIS” të klientit të tij.
Duke folur para mediave, ai është shprehur se do të bëjë edhe një kallëzim penal për administratën e burgut 313, pasi nuk e lejuan të takonte klientin e tij në qelinë e izolimit.
Meçi e ka quajtur një vendim abuziv pasi ndaj Emiljano Shullazit nuk është marrë asnjë vendim i formës së prerë se ai është pjesë e grupeve apo organizatave kriminale dhe se vendimi izolimit të tij është bërë pa baza mbi veprat penale.
“Është një veprim abuziv, një përpjekje për të mbuluar dështimin e organeve të specializuara duke shfrytëzuar emrin e Emiljano Shullazit. Ndërkohë që ligji flet për subjekte që janë pjesë e organizatave kriminale, ende nuk është vërtetuar që Emiljano Shullazi është pjesë e këtyre organizatave. Ka shkelje që fillojnë që me një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë nga ish-drejtuesja e Prokurorisë të Krimeve të Rënda në një kohë që ligji ngarkon kompetent për të iniciuar një procedurë të tillë drejtuesin e SPAK, që ende nuk ishte krijuar”, ka thënë ndër të tjera avokati Meçi.