Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Avokatët e Hashim Thaçit zbulon identitetin e tetë dëshmitarëve ndërkombëtarë, që do paraqiten në Hagë

Shkruar nga Newsbomb
Avokatët e Hashim Thaçit zbulon identitetin e tetë

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një mocioni të dërguar gjykatësit të procedurës paraprake, ka treguar se janë tetë dëshmitarë ndërkombëtarë që planifikon të ftojë në gjykimin pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Mbrojtja po kërkon që dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të mund të "ruhen" para se të nisjes së gjykimit.

Thaçi, si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në listën e prezantuar të dëshmitarëve përfshihen: Wesly Clark, William Walker, Bernard Kouchner, Daan, W. Everts, Michael Durkee, Jock Covey dhe Steve Bennett. Në këtë listë është edhe një dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, emri dhe të dhënat e të cilit janë të redaktuara.

Kush janë dëshmitarët e mbrojtjes?

Clark, 77 vjeç, ka qenë komandant suprem i NATO-s në Evropë dhe komandant i komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në maj të vitit 2000.

Kouchner, që po ashtu është në listën e dëshmitarëve që mbrojtja synon të thërrasë, ka qenë përfaqësues i posaçëm i sekretarit të Përgjithshëm në misionin e UNMIK-ut nga korriku i vitit 1999 deri në janar të vitit 2001.

Walker ka qenë drejtues i Misionit Monitorues të OJB-së për Kosovën nga tetori i vitit 1998 deri në mesin e qershorit të vitit 1999.

Bennett ka qenë drejtor i Departamentit për politika të edukimit dhe Zhvillimit në OSBE nga viti 1996 deri më 2006.

Covey ka qenë zëvendësdrejtues i UNMIK-ut nga viti 1999 deri më 2001.

Durkee ka qenë këshilltar politik i Clarkut nga viti 1998 deri më 1999. Ndërkaq, Everts ka drejtuar zyrën e OSBE-së në Tiranë dhe më pas atë në Prishtinë më 1999.

“Tetë dëshmitarët gjatë kohës për të cilën është ngritur aktakuza, kanë qenë diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë, figura ushtarake në pozita të larta në NATO, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE], në Kombet e Bashkuara, në Administratën e Përkohshme të OKB-së në Kosovë [UNMIK] dhe në Misionin për Monitorim në Kosovë. Që të gjithë kanë pasur ndërveprime me Thaçin, si në aspektin profesional, por në disa raste edhe në atë personal”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.

Mocioni i mbrojtjes së Thaçit ka të bëjë me “mundësitë unike hetuese”, duke kërkuar që gjykata të lejojë mbrojtjen që të “ruajë” dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, nëse ata nuk do të mund të paraqiten fizikisht në gjykatë për të dëshmuar.

Mbrojtja tha se këta dëshmitarë mund të ofrojnë dëshmitë e tyre para se të nisë gjykimi dhe se dhënia e këtyre dëshmive mund të “vëzhgohet” edhe nga Paneli Gjykues.

“Të tetë dëshmitarët janë në moshë të shtyrë – nga 77 deri në 88 – dhe kanë sëmundje të ndryshme. Për mbrojtjen është ideale që të thërrasë këta dëshmitarë gjatë paraqitjes së rastit të saj [pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar të ketë përfunduar paraqitjen e rastit të saj] dhe ata do të dëshmonin sikurse të gjithë dëshmitarët e tjerë. Por, për shkak të moshës së tyre të shtyrë, ka rrezik real që dëshmia e tyre ‘mund të mos jetë e qasshme gjatë gjykimit’, ose në kohën kur Prokuroria të përfundojë argumentet e saj dhe mbrojtja të nisë paraqitjen e rastit të saj, qoftë për shkak të vdekjes apo edhe për shkak të kufizimeve për shkak të moshës”, argumenton mbrojtja e Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit tha se ka humbur dy dëshmitarë potencialë: ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që vdiq në moshën 84-vjeçare, dhe ish-diplomatin amerikan që vdiq më 2010 në moshën 69-vjeçare.

“Këta shembuj tregojnë nevojën reale të ruajtjes së dëshmive të këtyre tetë individëve”, tha mbrojtja.

Mbrojtja e Thaçit kujtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se do t’i duhen 709 orë për të parashtruar pyetje për dëshmitarët që do të thërrasë në gjykim. Duke argumentuar se një kohë e njëjtë do t’i jepej edhe asaj për këtë çështje, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës tha se për të përfunduar dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë, do të duhen 1.418 orë.

“Nëse gjykata punon katër ditë në javë, gjashtë orë në ditë, Zyrës së Prokurorit të Specializuar do t’i duhen minimum 236 ditë për të dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve të saj dhe 66 ditë do t’i duheshin mbrojtjes për t’iu parashtruar pyetje këtyre dëshmitarëve”, thuhet në mocion.

Rasti ndaj Thaçit dhe ish-eprorëve të tjerë është ende në procedura paragjyqësore dhe nuk ka ndonjë datë për nisjen e gjykimit.

Ndryshe, Gjykata Speciale, me seli në Hagë, synon t‘i hetojë krimet e pretenduara të ish-anëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Ky raport, në fakt, i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015. /REL

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll