
Ditën e sotme u raportua se anija e flotës detare ruse hapi zjarr paralajmërues ndaj luftëanijes të Marinës Mbretërore Britanike.
Mediat britanike gjithashtu thanë se një avion rus model Su-24 lëshoi bomba shumë pranë anijes britanike në shenjë paralajmërimi me pretendimin se kishte shkelur ujërat ruse pranë Kepit Fiolen.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se anija e saj u tërhoq rreth dy milje pas këtij incidenti. Ndërkohë Britania e Madhe ka mohuar raportet se Rusia ka kryer të shtëna paralajmëruese në drejtim të luftanijes së saj.
Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se “nuk ka pasur të shtëna paralajmëruese ndaj HMS Defender”.
Sipas kësaj ministrie, anija po lundronte në ujërat e Ukrainës, dhe se rusët po kryenin stërvitje të armatosura në Detin e Zi dhe se kanë bërë paralajmërim paraprak për aktivitetin e tyre.
Sipas raporteve nga Rusia, anija e patrullimit qëlloi dy herë ndërsa avioni Su24-M ka shkrepur katër bomba.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se për shkak të incidentit atasheu i mbrojtjes i ambasadës britanike është thirrur në ministrinë ruse të mbrojtjes.
Anija britanike HMS Defender po kryen misione në Detin e Zi, sipas faqes në internet të Marinës Mbretërore.