Tirana
light rain
14.5 ° C
14.5 °
14.5 °
44 %
1kmh
40 %
Enj
13 °
Pre
11 °
Sht
10 °
Die
7 °
Hën
7 °
E enjte, 2 Shkurt, 2023

Autoriteti i Konkurrencës heton prodhuesit e betonit në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

spot_img

Lajme të ngjashëm

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, për të vlerësuar ekzistencën e mundshme të shenjave të kufizimit të konkurrencës.

Nga procedura e monitorimit të tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të produktit beton është konstatuar një numër i madh ndërmarrjesh të cilat operojnë në të. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të cilat ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit të betonit janë ndërmarrje ndërtuese, duke e përdorur produktin beton si lëndë e pare për qëllimin e aktivitetit të tyre në fushën e ndërtimit.

Por, nga ana tjetër, nga monitorimi është konstatuar se disa nga ndërmarrjet konkurrente kanë marrëdhënie tregtare me njëri-tjetrin lidhur me plotësimin e nevojave për furnizim. Gjithashtu, rritja e çmimit të betonit në të gjitha ndërmarrjet ka ndodhur në të njëjtën kohë në periudhën shkurt-mars të vitit 2022 dhe në të njëjtën masë rreth 30%. Ndërkohë, çmimet e shitjes së produktit beton ndërmjet ndërmarrjeve janë të përafërta, sipas kategorive të betonit.

Bazuar në faktet e mësipërme, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se çmimet e përafërta të shitjes së ndërmarrjeve prodhuese të betonit, rritja në të njëjtën periudhë, homogjeniteti i produktit dhe transparenca e tregut, marrëdhëniet tregtare ndërmjet konkurrentëve në këtë treg janë të gjithë elementë të cilët mund të çojnë drejt një sjellje të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Kjo sjellje mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në kuptim të nenit 4 dhe 9 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës. Për këtë arsye, Komisioni vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Hetimi paraprak të përfshijë periudhën kohore nga 1 Janar 2020 deri në 30 shtator 2022 dhe pritet që raporti i hetimit paraprak të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës brenda muajit janar.

Instrumenti i hetimit paraprak ka qëllim të evidentojë shenja të kufizimit të konkurrencës në një treg të caktuar. Nëse të tilla shenja zbulohen, faza tjetër është hapja e një hetimi të thelluar, që duhet tu japë përgjigje dyshimeve për kufizime të mundshme konkurrencës në treg dhe sjellje të mundshme anitkonkurruese nga ndërmarrje të veçanta.

Hetimi i tregut të betonit është i dyti në tregjet e sektorit të ndërtimit, pasi një procedurë e ngjashme u nis në muajin korrik për tregun e çimentos. Duke qenë se çimentoja është një nga lëndët e para bazë për prodhimin e betonit, rritja e çmimeve në këtë treg duket rrjedhojë e një efekti zinxhir. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës i ka vendosur të dyja tregjet nën hetim, për të kuptuar nëse këto rritje çmimesh mund të jenë rezultat edhe i sjelljeve të mundshme abuzive, në shkelje të ligjit të Konkurrencës.

Rritja e çmimeve në zinxhirin e prodhimit ka sjellë një rritje rekord të kostove të ndërtimit gjatë këtij viti. Sipas INSTAT, për tremujorin e tretë indeksi i kushtimit në ndërtim u rrit me 7.2% me bazë vjetore. Rritja e kostove ka prekur të gjitha zërat e shpenzimeve, por nivelet më të larta regjistrohen në shpenzimet për energji, me 15.5% dhe shpenzimet materiale, me 8%.

Rritja e kostove të ndërtimit po krijon presione shtesë për rritjen e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të këtij viti çmimet e banesave shënuan një rritje rekord, me 39% më shumë krahasuar me një vit më parë./ Monitor

Më shumë


spot_img









spot_img