Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, kanë konfirmuar sot se lija e majmunit nuk ka arritur akoma. Sipas tyre, bashkë me IKSHPK-në po bëhen përgatitjet për porositjen e testeve diagnostifikuese.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku, tha se përhapja e lisë së majmunëve nuk është aq e madhe sa koronavirusi, megjithatë rekomandoi se kushdo që ka simptoma si lodhje dhe ndryshime në lëkurë të paraqitet te mjeku familjar.
“Në vendin tonë deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i dyshuar i Lisë së Majmunëve. Sëmundja zakonisht është e lehtë, megjithatë MSH po monitoron situatën, vlerëson rrezikun për popullatën në vend dhe përgatit rekomandime për profesionistët shëndetësor dhe të tjerët”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Gexha-Bunjaku shtoi se rreziku që ky infeksion të shfaqet edhe në Kosovë është real.
“Çdo ndryshim në lëkurë dhe simptoma si ethe, lodhje, dhimbje muskujsh, luteni të paraqiteni sa më parë pranë mjekut familjar. Infeksionet mund të përhapen shpejtë prej një vendi në vendin tjetër…Ky virus nuk e ka shpejtësinë e përhapjes si atij të Covid-19, por kujdesi nuk duhet të na mungojë.”