Gazetari Artan Hoxha është shprehur mbrëmjen e sotme se autori i sulmit me armë ndaj televizionit "Top Channel" është arrestuar nga Policia e Shtetit. Nga ngjarja e ndodhur në mars të këtij viti, mbeti i vdekur roja Pal Kola dhe godina e televizionit u mbush me plumba.
"Është kapur një person që dyshohet për sulmin ndaj Top Channel. Është kapur në 7 gusht, ka qenë në jug për të kryer atentat. Është i dyshuar si autor, në sulmin që i është bërë medias kombëtare Top Channel. Kishte mesazh për botën e medias. U godit një media e madhe dhe kaloi në heshtje", tha Hoxha.
FotoMontazh: Pal Kola, roja i vrare te Top Channel
Më tej, gazetari zbuloi në emisionin "Të Paekspozuarit" se shtetasi i arrestuar dyshohet se është vrasës me pagesë dhe në momentin e ndalimit në Vlorë, ai ka qenë i armatosur dhe gati për të kryer një atentat.
"U kap i armatosur, për të kryer atentat. Pra është person i dyshuar si vrasës me pagesë. Nga hetimet e deritanishme, ata kanë çuar mesazh kërcënimi ndaj Top Channel, roja ka marrë plumbin", tha ai, ndërsa shtoi se Prokuroria e Tiranës po punon që ta kthejë atë në të penduar.
"Po punohet që ai të kthehet edhe në bashkëpunëtor, meqenëse është kapur në ngjarje flagrante. Jemi ende larg pjesës për çfarë ndodhi ai sulm. Media nuk është sulmuar në këto nivele dhe përmasa. Kështu që është një gjë që ngelet për t’u parë në ditët në vijim", përmbylli Artan Hoxha.
Foto nga vendi i ngjarjes ne Top Channel