Hapësire reklamuese

OpEd

Aurela e fundit e Mohikanëve

Shkruar nga Newsbomb
Aurela e fundit e Mohikanëve

Nga Zefina Hasani

E zhurmoi Tiranën këtë javë me një ngjarje të madhe muzikore. Jo vetëm pse mblodhi miqtë e shumtë, jashtëzakonisht të shumtë, për të promovuar 2 albume në një ditë, “Unike” dhe “Me taban”, me plot 20 këngë, të ritmeve, zhanreve e mesazhe të ndryshme… por edhe sepse e shkundi fort, edhe një herë këtë qytet, duke i kujtuar se sa unike është në llojin e saj.

Unike sepse edhe pse ka ngritur industrinë e madhe, të suksesshme, e fitimprurëse të muzikës live, ingranazhet e së cilës vajisen e ndizen, bashkë me zërin e saj, çdo fundjavë, përgjatë gjithë vitit, ajo nuk rresht së krijuari, konceptuari art, muzikë që të përcillet kudo e që t’ju përkasë të gjithëve. Unike sepse nuk di të jetojë e bëj art ndryshe, veçse duke qenë mirënjohëse në çdo kohë e çdo moment për bashkëpunëtorët, miqtë dhe artistët që dikur i ka adhuruar e pas së cilëve ka ngjizuar ëndrrat, kur ishte ajo vajza e vogël e Llakatundit, për t’u bërë një ditë artiste që do të ngjitej në skenë, do të shfaqej në ekran e do të duartokitej si ata.

Unike sepse e shkruan dhe e flet historinë e saj, të të dy kohëve, para dhe pas ’90-ës, duke folur më shumë për ata që i ndenjtën në krah në rrugëtimin e saj të gjatë, sesa për veten. (I tillë ishte gjithë fjalimi i saj në këtë festë promovimi). Unike, sepse edhe pse vjen prej kohëve të fillimeve të ’90-ës, së festivaleve të muzikës së lehtë shqiptare, nuk mbeti histori e sukseshme e së shkuarës, por po u reziston fort mirë trendeve, tregut të ri muzikor. Po depërton shumë mirë, duke sjellë çdo herë hite e duke u bërë kështu e preferuara edhe e brezave të së sotmes.

Unike sepse mesa duket është e fundit artiste e brezit të saj (artistik) që po qëndron kaq fuqishëm në treg, në atë të skenës live, në atë të koncerteve live por dhe në atë të klikimeve live. Unike sepse ka gjetur atë formulën magjike për t’u bërë moderne duke qenë me taban. Unike sepse është mami më cool, që vazhdon të luajë guximshëm me stilin e saj, sidomos me ngjyrën e flokëve. Fundja si dikur, kur thoshte: nëse do të kishin gojë këta flokët e mi, do të më kishin hedhur në gjyq.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese