Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Atentati që tronditi Milotin: Fuoristrada e blinduar nuk i mbrojti dot shokët e Vis Martinaj, autorët shkrehën mbi 100 plumba (FOTO)

Shkruar nga Newsbomb

Një atentat mafioz ka trondit mbrëmjen e djeshme Milotin, ku u qëllua me breshëri armësh në drejt të një mjeti të blinduar, me të cilin udhëtonin Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi. Fatkeqësisht, ky i fundit nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë te Trauma. Aty ndodhet i plagosur dhe Brahimi.

Sipas Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 në sheshpushimin e një pallati. Pikërisht, në këtë pallat banonin dhe ishin fqinj të dy personat që ranë pre e atentatit. Brahimi e Preçi jetonin njëri në katin e parë e tjetri në katin e tretë.

Ata kanë dalë nga rruga kryesore ku po udhëtonin dhe sapo janë futur në një degëzim pranë pallatit, kanë rënë nën breshërinë e plumbave. Mjeti i blinduar "Land Cruiser" nuk i ka përballuar dot dhe xhamat për pasojë janë tejshpuar, shkruan newsbomb.al.

Siç shihet dhe nga pamjet, fuoristrada me targa Shkupit, është qëlluar nga mbrapa dhe nga para, në pjesën ballore. Shenjat e plumbave dallohen qartësisht, ndërsa mjeti është lëvizur pas ngjarjes nga Policia për t'ju nënshtruar ekspertizës, me shpresën se do të gjendet ndonjë provë që do t'i çojë hetuesit te grupi i vrasësve.


Sipas burimeve, mësohet se 47 vjeçari dhe viktima Klisman Preçi kishin qenë në një lokal të Milotit para ngjarjes. Po ashtu, edhe autorët duket se kishin informacione të sakta për lëvizjet e shënjestrave të tyre, pasi i kanë pritur për afro 10 minuta pranë rrugës kryesore, para se ajo të degëzohet për në hyrjen e pallatit.

Sapo mjeti fuoristradë e blinduar "Land Cruiser" është futur në rrugë dhe është afruar në sheshpushimin e pallatit, drejt Ylli Brahimit dhe Klisman Preçit është derdhur breshëri plumbash. Pritet që pamjet e marra nga kamerat në zonë, të përcaktojnë itinerarin dhe ndonjë detaje të autorëve.


Ylli Brahimi, 47 vjeç, i njohur dhe si krahu i djathtë i biznesmenit në kërkim Ervis Martinaj ndodhet aktualisht në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ka një plumb në brinjë dhe një në këmbë. Fatkeqësisht, breshërisë së plumbave nuk u ka mbijetuar Klisman Preçi, i cili ndërroi jetë te Trauma. 27 vjeçari ishte shofer në mjet kur ranë në atentat.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas atentatit të trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës, ku mes viktimave ishte edhe kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj. Një vit më parë Ylli Brahimi i mbijetoi një atentat po në qendër të Milotit, pasi u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur.


Edhe i riu që ndërroi jetë, Klisman Preçi afro dy muaj më parë ra në atentat teksa ishte duke lëvizur në afërsi të Fushë Krujës me kushëririn e tij, shkruan newsbomb.al. Ata i shpëtuan atentatit pasi mjeti tip Mercedes Benz ML me të cilin ata udhëtonin, doli nga rruga dhe autorët u larguan duke menduar se i kishin vrarë.

Në atentatin e mbrëmjes së djeshme, Policia ka gjetur në vendngjarje 100 gëzhoja plumbash. Pista kryesore ku po hetohet është e shkuara e dy shënjestrave të atentatit të mbrëmjes së sotme, ndërsa nuk përjashtohet as lidhja me atentatin e një jave më parë, pasi Preçi e Brahimi kishin njohje me tre viktimat.

Nga mënyra e organizimit dy ngjarjet kanë ngjashmëri të madhe, si për nga përdorimi intensiv i armavëe të zjarrit dhe bershëria e plumbave që u shkrehën mbi mjetin e blinduar, por dhe nga personat që janë "aktivizuar" për të bërë këtë ekzekutim. Shpesh në vend janë ngritur dyshime për përfshirjen e vrasësve me pagesë, të cilët nuk kanë lënë asnjë gjurmë.


Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Pavarësisht masave të marra nga Policia pas ngjarjes, duket se zbulimi i autorëve do të jetë i vështirë, për organizimin e tyre por dhe për shkak se pak pas atentatit, në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autorët.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese