
Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë mbrëmjen e sotme pas një atentati me armë zjarri në Milot.
Mësohet se 27-vjeçari Klevis Preçi ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit ku ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të shumta.
Ndërsa i plagosur rëndë me plumba në këmbë dhe brinjë, ka mbetur Ylli Ibrahimi, 47-vjeç.
Ky i fundit është një emër i njohur i botës së krimit. Ibrahimi njihet si dhe krahu i djathtë i Ervis Martinajt. Ai është me precedentë në Itali, ndërsa në Shqipëri është emër i njohur i biznesit të lojërave të fatit.
Në vitin 2021, Ylli Brahimi i mbijetoi një atentati në qendër të Milotit.
Kujtojmë se kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas atentatit të trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës, ku mes viktimave ishte edhe kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj.