Zv/drejtori për hetimin e krimeve në Policinë e Lezhës, Gentian Berberi ka folur për mediat lidhur me vrasjen që ndodhi mëngjesin e sotëm në firmën e inerteve në fshatin Gurëz të Kurbinit.
Nga të shtënat me armë zjarri i vrarë mbeti ekonomisti i firmës Selman Mihana 70 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti pronari Ardian Gjeloshi 51 vjeç, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë autori apo autorët janë larguar nga vendngjarja, me policinë që pounon për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Gentian Berberi tha se objektiv i autorëve të krimit ka qenë pronari i firmës, Ardian Gjeloshi që mbeti i plagosur dhe jo ekonomisti që u vra. Ai thotë se ka dyshime se është qëlluar me armë zjarri automatik. Sipas tij, pistat kryesore, të cilat po hetohen janë konfliktet dhe mosmarrëveshjet që mund të ketë pasur pronari i firmës së inerteve. Më tej Berberi tha se Gjeloshi ndodhet në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.
Lexo edhe: Ekzekutohet me armë zjarri ekonomisti i një firme në Kurbin, plagoset pronari (EMRAT)
“Dyshohet që është qëlluar me automatik. Ka të dhëna të lëvizjes së autorëve me një mjet. Po hetojmë konfliktet, mosmarrëveshjet që ka personi i cili është tentuar të vritet. Objektiv i atentatit është personi i cili ka mbetur i plagosur. Fatmirësisht është në gjendje të mirë, ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, u shpreh Gentian Berberi.
Lidhur me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea. Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.
Njoftimi i policise
Kurbin/Informacion paraprak
Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi S. M, rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjeksore.
Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea.
Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.