
Gazetari Artan Hoxha e ka cilësuar atentatin me eksploziv ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës një ditë më parë, si një paralajmërim. Sipas tij, nëse do të donin të kundërtën, autorët do e vendosnin lëndën plasëse në krahun e shoferit, jo të pasagjerit.
Në studion e “Opinion”, Hoxha tha se autorët nuk donin eliminimin fizik të Bernard Ndrecës, por tronditjen e opinionit publik. Kjo, pasi sipas gazetarit, në Vaun e Dejës gjithmonë gjatë zgjedhjeve përplasja mes palëve ka qenë e ashpër.
Artan Hoxha: Pse ngjarja ka efekt paralajmërues? Sepse vendoset në pjesën e gomës së parë në krahun e pasagjerit, midis vendit ku vendoset eksplozivi dhe pozicionit të shoferit është motori i makinës.
-Po mos e kanë pasur më kollaj në atë për të qenë të fshehur nga shtëpia?
Artan Hoxha: Po jo o Fevzi, ata e dinë shumë mirë me çfarë lëviz Bernard Ndreca dhe ai është drejtuesi i mjetit. Kur ti do të eliminosh fizikisht drejtuesin, ti nuk e vë në pozicionin më të largët nga drejtuesi. Por e vë aty ku drejtuesi nuk ka shans të shpëtojë.
-Pra, ju e quani paralajmërim?
Artan Hoxha: Ky lloj atentati paralajmërues, me pamje vizive, me tronditjen që shkakton i ka pasojat më të rënda në fakt në opinionin publik se vetë eliminimi fizik. Së dyti, sasia e eksplozivit nuk ka dalë ende nga ekspertët xhenierë se unë jam interesuar para se të vij…
-Sot mediat e raportuan, 50 gram.
Artan Hoxha: Mediat mund të bëjnë shumë lajme, po flas për raport. Ekspertiza që vjen nga xhenierët ta jep me saktësi sa është lënda, por rëndësi ka se ku e monton.
-Ti e quan mesazh?
Artan Hoxha: Patjetër! Kjo ngjarje duhet hetuar menjëherë, për të hequr këto spekulimet e tjera ose betejën politike. Pse ndodhi tani dhe në Vaun e Dejës. Vau i Dejës do të jetë një zonë e nxehte, unë e kam ndjekur dhe në 2015-ën. I ka ndodhur dhe shefit të shtabit, përplasja mes dy palëve është shumë e fortë. Në gjithë qarkun, Vau i Dejës është një pikë ku përplasen fort lobingje të cilat kanë ndikim në zonë. Në 2015-ën Vau i Dejës ka qenë zona ku është përdorur çmimi më i lartë për të blerë votën, 250 mijë lekë të vjetra.