Ish-deputeti socialist Armando Prenga i ka shpëtuar mrekullisht një atentati me armë zjarri mesditën e kësaj të mërkure në Fushë Kuqe. Ai ka qenë duke lëvizur me makinë, kur është qëlluar me armë nga një makinë në lëvizje.
Menjëherë Prenga ka njoftuar sallën operative dhe ka thënë se personi që kishte hapur zjarr ndaj tij ishte Fatbardh Ismaili. Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe raportohet se kanë identifikuar e shpallur në kërkim 29 vjeçarin.
Newsbomb.al mëson se konflikti është vazhdim i një ngjarje të ndodhur dy ditë më parë në Kurbin, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua të ndërpriste numërimin e votave për 7 orë. Dy vëzhgues të kampeve të ndryshme politike u përplasën për dy vota.
I riu Fatbardh Ismaili është djali i një prej vëzhguesve që u përfshi në konflikt dhe përfaqësonte koalicionin "Bashkë Fitojmë". Dy vota të kontestuara dhe të shpallura më pas si të pavlefshme, janë bërë shkak që vëzhguesit të përfshiheshin në konflikt.
Ish-deputeti Armando Prenga
Nuk dihet nëse në konflikt është përfshirë drejtpërdrejt dhe ish-deputeti Armando Prenga, por mësohet se ky i fundit në këto zgjedhje ka qenë në mbështetje të kryebashkiakes socialiste të Kurbinit, Majlinda Cara, e cila arriti të fitojë dhe një mandat të dytë.
Po ashtu, bëhet me dije se babai i 29 vjeçarit të shpallur në kërkim, ka bërë kallëzim në polici më 15 Maj, duke pretenduar se në momentin e incidentit në KZAZ është dhunuar nga vëllai i ish-deputetit dhe persona të tjerë. Rrahjen e babait duket se nuk e ka falur Fatbardh Ismaili, i cili sot ka marrë armën dhe ka qëlluar drejt Armando Prengës.
Mesditën e kësaj të mërkure, dy ditë nga ngjarja e 15 Majit, Fatbardh Ismaili ka qëlluar me armë zjarri nga makina e tij në drejtim të Armando Prengës, i cili gjithashtu ishte në lëvizje me makinë. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka persona të lënduar.
Lexo edhe: Të shtëna me armë në Fushë Kuqe, qëllohet drejt makinës së ish-deputetit Armando Prenga
Vendimi i KQZ me 15 Maj, per pezullimin e procesit te numerimit ne Kurbin