Mbi 27 plumba kanë lëshuar atentatorët në trupin e 23 vjeçarit Andi Zylyfi, i cili mbeti i vdekur mbrëmjen e djeshme në rrugën Elbasan-Peqin.
Sipas ekspertizës zyrtare, Andi Zylyfi është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga atentatorët, ndërsa si pasojë e plagëve të shumta në këmbë dhe kokë ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin e Elbasanit. Vetëm në trupin e tij janë konstatuar pas ekspertizës mjeko-ligjore 27 plumba. Ndërkohë, nga breshëria e plumbave ka mbetur i plagosur rëndë dhe shoku i Zylyfit, 21 vjeçari Albert Uruçi. Për ngjarjen e rëndë janë shoqëruar në Polici shumë persona, të dyshuar se kanë dijeni për atentatin por dhe dëshmitarë të rastësishëm.
Kujtojmë se, 23 vjeçari, viktimë e atentatit të sotëm, është kushëri i shtetasit të vrarë një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Endrit Alibej (Dylgjeri).
Endrit Alibej dhe xhaxhai i tij Arben Dylgjeri u qëlluan me breshëri plumbash një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit, ndërsa udhëtonin me një mjet tip Range Rover po në të njëjtën rrugë ku sot u vra i afërmi i tyre Andi Zylyfi. Në atë kohë, atentatorët u kujdesën që të mos linin pas persona të mbijetuar pasi bashkë me xhaxha e nip, mbeti i vdekur dhe një shtetas turk që udhëtonte me ta Erdal Durunay.
Sipas Policisë, ndaj makinës në të cilën udhëtonte 23 vjeçari Andi Zylyfi dhe shoku i tij Albert Uruçi, është qëlluar me breshëri plumbash nga një mjet tjetër në ecje, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, raportohet se Andi Zylyfi është djali i policit të Burgut të Peqinit, Hysni Zylyfi, i cili po merret në pyetje për të zbuluar nëse atentati ndaj djalit të tij ka lidhje me detyrën në Burg.