Artan Lame, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI, ka dalë sot përpara studentëve të Universitetit Evropian të Tiranës për të folur mbi kryeqytetin dhe ndërtimin e tij që nga krijimi i shtetit shqiptar, nën titullin: "Tirana, shorti i një qyteti". Tonin Gjuraj, rektori i UET, që në krye të herës evidentoi një fakt politik. “Kur u bë qeveria, mendova se pse Artan Lame nuk ishte ndër ministrat e kësaj qeverie” tha Gjuraj.
“Kjo puna e të priturës për këtë gjë, është njëlloj si ajo e Kadaresë për çmimin Nobel. Të gjithë presin se kur do ta marrë”, ishte batuta e menjëhershme e Lames.
Ndërkaq, e ndau në disa etapa krijimin e Tiranës. Etapa e parë sipas Lames, i përket periudhës së Esat Pashës, që filluan ndërtimet e para. Më të strukturuara sipas tij, ishin në kohën e Mbretit Zog, dhe atëherë u bënë edhe më masive. Pushtimi Italian, për Tiranën, i dha ndërtimit një tjetër dimension. Lame tha se ishte koha kur flitej për bulevardin e madh të Tiranës dhe kur thuhej nëpër media se kishin parë qytet pa bulevard, por nuk kishin parë ndonjëherë bulevard pa qytet. E mandej ishte koha e komunizmit, me arkitekturën e strukturat e saja, për të mbërritur në kohën e demokracisë, ku njerëzit filluan të ndërtonin ku të mundnin. Për Lamen, një etapë e fundit ishte ajo e vitit 2002, kohë kur Rama u vendos në krye të bashkisë së Tiranës. Duke u deklaruar studentëve se ai vetë kishte qenë skeptikë për ndërhyrjen në fasada fillimisht, tha se gjithçka kishte rezultuar positive.
Më pas, drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t Lame, iu përgjigj edhe pyetjeve nga studentët.