Artan Lame dhe Artan Shkreli kanë dalë së bashku kundër kreut aktual të Bashkisë Lulzim Basha pikërisht për lejen e ndërtimit që është dhënë për pallat te Gjuhët e Huaja.
“Në muajt e fundit të kësaj qeverisje të qytetit Bashkia e Tiranës me kryetarin e saj po japin lejet e ikjes. Do të konsideroja të gjitha ato që po ndodhin në kryeqytet këto ditë si leje ikjeje. Është një situatë e njëjtë me atë të muajve prill, maj, qershor të vitit 2013 kur qeveria “Berisha” në ikje dha të gjitha koncensionet e fundit, firmosi gjithçka ç’mund të bënte përpara ikjes. Të gjithë e shohim në Tiranë se çfarë lejesh janë dhënë në këtë periudhë disa-vjeçare dhe çfarë lejesh po dalin nga vrimat më të errëta të Bashkisë në këto ditë të fundit” tha Lame duke nënvizuar se Bashkia e Tiranës po përpiqet ta kthejë këtë në një çështje politike. Në formë populiste, Lame kërkoi që qytetarët të shikonin vendin dhe të shpreheshin ata nëse aty në atë copë tokë të mund të kishte vend për pallat. Ai i bëri thirrje Erion Veliajt dhe Lindita Nikollës të ndërhyjnë po ashtu, meqënëse pikërisht në atë vend ishte Shtëpia e Fëmijes dhe Gjuhët e huaja.
Këshilltari i kryeministrit Artan Shkreli del për herë të dytë për këtë objekt. “Në këtë shesh ndërtimi midis Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja dhe Shtëpisë së Fëmijës, në këtë sipërfaqe kaq të vogël parashikohet 9+2 kate leja e Bashkisë së Tiranës. Nuk po flas për varrosjen që u bëhet këtyre institucioneve, dritës, ajrit dhe elementëve të tjerë mjedisorë të Shtëpisë së Fëmijës, të cilët nuk u thuhet dot “as ngrohuni në diell” tani, siç është ajo thënia: “tani shkoni ngrohuni në diell”, por këtu prishet dhe një aset i rëndësishëm i kryeqytetit” tha Shkreli.
Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me deklaratat e drejtorit të ALUIZNI-t, Artan Lame dhe këshilltarit për kulturën i kryeministrit, Artan Shkreli.
Bashkia i ka quajtur Lamen dhe Shkrelin si bashkautorë të betonizimit të Tiranës gjatë 11 viteve që Rama ishte kryebashkiak.
Në reagimin e Bashkisë, përmendet edhe ministri i Mirëqënies Social, Erion Veliaj, i cili akuzohet se ka ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës. “Veliaj ndërton pa leje në qendër të Tiranës, ndërtuesi i vilës së Ramës ngre dy vila brenda parkut të Liqenit dhe nuk u hyn gjemb në këmbë. Për të mbuluar zullumet e tyre dhe për të mbushur xhepat me gjoba korruptive i vërsulen të pamundurve të cilëve u premtuan legalizim falas dhe se nuk do t’u prishte njeri pronën, edhe po të ngrihej Merhumi nga varri”, thuhet në reagim.
Bashkia shprehet se “ka ardhur koha që ligji të veprojë mbi këta gjobvënës të korruptuar deri në palcë”.