Hapësire reklamuese

Aktualitet

Artan Hoxha ‘zbërthehet’ për 21 Janarin: Karlo Bolino do të zhdukte kasetën e vrasjeve, siç zhduku filmimin nga celulari i përgjakur i Hekuran Dedës

Shkruar nga Newsbomb
FotoMontazh: Artan Hoxha - Vrasja e Ziver Veizit - Karlo Bolino

Nga Artan Hoxha

Hyrje: Kisha vendosur të mos merresha më me të, sepse më kishte futur aq miq, botues, biznesmenë, politikanë që të heshtja (ti e di Bollino që une i ruaj provat dhe faktet, mesazhet dhe telefonatat, kompromiset që bën lart e poshtë në këmbim të heshtjes sime).

Fiks pas 10 vitesh nga masakra e 21 janarit 2011, ish-administratori i Neës24, italo-shqiptari, Karlo Bolino, u shfaq në televizionin e tij, me një variant të ri të asaj ngjarje. Në fakt nëse i ndjek reagimet e Bolinos gjate çdo 21 janari te viteve te fundit, gjithnje sjell nje version te ri te ngjarjes, identike si bente ish-kryeministri Berisha pas 21 janarit, kur sajonte planin A, Planin B dhe pastaj planin C te puçit.

Versioni  solli këtë herë Bolino, ua kalonte edhe denoncimeve te “qytetarit digital”. Më teper se me mosndeshkimin e vrasesve dhe urdheruesve të 21 janarit, ai u mor pikerisht me gazetarin qe denoncoi me ze dhe me figure vrasjet e shteterore te Berishes.

Po pse kaq zell, nga nje “korife” i medias shqiptare, të harxhonte kaq shume kohe televizive me nje gazetar të thjeshtë?! Çfarë sikleti kishte kete radhe Karlo, qe u shfaq fiks si personazhi Avdi Mamani te filmi “Gjeneral Gramafoni”, i cili dilte çdo dite në sofatin e shtepise me një shkop të ri të gdhendur me simbole te ndryshme?

Për më tepër pas 10 vitesh, Bollino u kujtua të bente scoop-in e jetes, që për pak ia kishte fshehur ne xhep një gazetar. Dhe si Zeusi, kishte lëshuar rrufe-fermanin e tij nga gadishulli Apenin, përtej detit Adriatik, ne nje lagje te humbur periferie te Tiranes, me emrin Shkoze.

Pasi trillon, sajon, genjen, manipulon, harron qe gjithe stafi i Neës24 me 21 janar 2011, eshte ende gjalle. Harron se ka pas deshmitare, me dhjetera gazetare, montazhiere, moderatore, shofere, madje dhe prokurore te cilet ate mbremje te vone janari pane me syte e tyre cfare ka ndodhur.

Por shqiptaret, dhe me pas mediat e mbare globit, e pane “me ze dhe me figure”, se kush e “nxori kaseten nga xhepi”, dhe denoncoi krimin shteteror te 21 janarit. Ky eshte fakt Karlo.

Fakt qe as ti dhe askush tjeter nuk e dinit deri ne oren 23:00 te mbremjes se çfare kishte ajo kasete. Sepse ndryshe do ta zhduknit, ashtu si paturpesisht zhduket filmimin e kryer nga protestuesi i vrare i 21 janarit Hekuran Deda, me celularin e tij.

Po, po e zhduket madje duke e fshire fare nga arkiva, dhe duke me detyruar qe ta publikoja dy dite me vone ne emision Top Story ne Top Channel te gazetari Balla.

Ishte filmimi i bere me celularin qe u pergjak nga gjaku i Hekuran Dedes mbi bulevard.

Gjithsesi rendesi ka qe kaseta doli ne kohen e duhur dhe e beri punen e vet. E ndryshoi rrjedhen e ngjarjeve. Sepse nese ti apo zinxhiri yt do ta dinit se çfare pamjesh kishte ajo kasete nuk do ma kishit lene mua, por do ta merrnit vete gjithe zell “lavdine”.

Por çuditerisht ata qe dalin sot pas pilafit dhe rrahin gjoksin, ate mbremje u fshehen si minjte neper skuta dhe prisnin furtunen e Berishes.

---------

Pasditen dhe mbrëmjen e 21 janarit 2021, isha i angazhuar në disa televizione si i ftuar në lidhje me 10 vjetorin e kësaj ngjarje. Për këtë shkak nuk kisha mundësi të shihja çfarë po jepej paralelisht ne ekranet e tjera.

Diku afër mesnatës, një miku im, më nisi një lajm të botuar në një portal. Më pas më nisi linkun ku një ish-gazetar italiano-shqiptar, i kthyer gjatë viteve të fundit në një biznesmen në disa aktivitete përfshirë dhe median kishte komentuar në lidhje me protestën e 21 janarit të vitit 2011. Lajmin e portalit dhe videon e emisionit e kam parë vetëm gjatë paradites së djeshme.

Fillimisht kujtova se kjo do të ishte ndonjë shaka që ma bënte ndonjë nga kolegët. Por më pas në videon e emisionit pashë ish-administratorin e Gazeta Shqiptare dhe Neës24 deri në majin e vitit 2011, Karlo Bolino, që kishte vendosur me titra të mëdha mbi ekranin e medias së tij, se do tregonte për herë të parë, të vërtetën e videos së 21 janarit.

Heu thashë, çfarë ka bërë vaki?!

Por më pas pashë italianin e natyralizuar në shqiptar, të fliste përçartë dhe të tregonte çudira që më parë nuk kishte guxuar t’i thoshte as Sali Berisha.

Së pari, ai kishte stisur një intervistë në televizionin e tij, në formën e një rrëfimi. Por çuditërisht moderatori përballë tij, ishte pikërisht gazetari që kishte qenë live në transmetim gjate orëve tragjike të 21 janarit 2011, dhe që kishte mbuluar më pas edhe tentativën kriminale të ish-kryeministrit Berisha për të fshehur të vërtetën e asaj që kishte ndodhur.

Bolino, që thoshte se gjatë 21 janarit kishte qenë në shtëpinë e tij në Bari, i tregonte moderatorit që kishte transmetuar drejtëpërdrejtë protestën se çfarë kishte ndodhur!

Më tej struktura e emisionit ishte organizuar në atë formë, që gjatë pjesës më të madhe të emisionit të sulmohesha unë personalisht.

Madje të akuzohesha paturpësisht pikërisht pse bëra atë që duhej bërë me 21 janar 2011.

Aq i sëkëlldisur ishte i intervistuari, sa harroi që emisioni jubilar për 10 vjetorin e 21 janarit, duhej ti kushtohej ish-kryeministrit Berisha dhe premtimit të pambajtur të kryeministrit Rama për tetë vite me radhë.

Por në fakt objektiv i emisionit rezultoi, një sulm personal ndaj meje dhe tjetërsimi, apo manipulimi i të vërtetës së videos së 21 janarit.

Fiks pas 10 vitesh, ish-administratori Bolino, po manipulonte të vërtetën, duke bërë atë që kishte bërë Berisha pasditen dhe mbrëmjen e 21 janarit.

Në fakt pak e habitshme që Bolino dhe Berisha u bënë në një mendje pas 10 vitesh. Ndryshimi i vetëm ishte se Berisha më dërgoi zarfin me plumba në banesën time pas 21 janarit, ndërsa Bolino po me dërgonte një zarf “me plumba virtuale”, për të më kërcënuar tashme mediatikisht.

Ndërsa Berisha një ditë pas masakrës më cilësoi “një çakall tjetër”, Karlo avancoi më tej duke më akuzuar se unë kisha dashur të fshihja apo të zhdukja pikërisht videon që publikova.

Po si është e vërteta e asaj dite.

Karlo Bolino nuk ndodhej fare në Tirane, pasi ndodhej në Bari si drejtues i një gazete lokale atje.

Në drejtimin e televizionit në Tiranë si drejtor informacioni ishte Ilir Babaramo. Pra unë jo vetëm që nuk komunikoja fare, po fare me administratorin Karlo, por nuk kisha as mundësi për ta bërë një gjë të tillë gjatë asaj dite. Të gjithë në redaksi e mbajnë mend se unë përdorja një telefon të vjetër të markes Samsung, prodhim i fillim-viteve 2000, pikërisht të njejtin telefon që prokuroria e krimeve të rënda ma sekuestroi mesnatën e 15 shtatorit 2016, kur prokuroret e bindur të Berishës menduan të më shoqëronin live nga studiot e emisionit Opinion.

Ky aparat nuk kishte as internet, dhe asnjë lloj tjetër komunikimi përveç bisedave telefonike dhe ndërkohë funksiononte dhe si radio për të dëgjuar kanalet radiofonike shqiptare. Pra nëse nuk më telefonoje nuk kishe asnjë shans të komunikoje me mua.

Gjate ditës të 21 janarit, nga mëngjesi deri pas mesnate, unë nuk kam patur asnjë komunikim, jo vetëm me Karlon, por as me drejtorin e informacionit të Neës24, as me redaktorët, as me gazetarët. Pra askush nuk ka komunikuar me mua atë ditë nga zinxhiri komandues i Neës24.

Së dyti, ishim në vitin 2011 kur rrjetet sociale dhe komunikimi ndërkombëtar nuk ishte si sot. Karlo komunikonte me vartësit e tij me messenger të jashtëm. Ndërkohë të gjithë në Neës24 dhe Gazeta Shqiptare e dinë se unë nuk kam patur kurrë messenger të jashtëm në kompjuterin tim.

Karlo gënjen paturpësisht kur thotë se mua më kishin caktuar një detyrë gjatë protestës nga redaksia, në 21 janar dhe se unë duhej të përmbushja detyren.

Në atë kohe unë realizoja emisionin XHUNGEL, dhe merreshe në terren vetëm me ndonjë temë speciale apo ekskluzive.

Në 21 janar 2011, unë praktikisht nuk kisha asnjë detyrë ngarkuar nga Neës24 dhe asnjë komunikim me zinxhirin komandues të tij. Zero. Kam dalë në protestë si qytetar i thjeshtë. Kam patur me vete, një orë dore që shërbente edhe si telefon edhe si kamera e fshehtë.

Ndërkohë kam patur edhe një kamera dore, me të cilën kam bërë filmime që doja t’i përdorja për emisionin tim. Protesta është zhvilluar ditën e premte, emisioni XHUNGEL transmetohej ditën e hënë.

Kam shkuar dy orë para protestës, kam parë dhe filmuar vendosjen e policisë, të trupave të Gardës dhe të kamerave të medias. Pasi kam studiuar ku ishte pozicioni më i mirë, jam vendosur në ballkonin e katit të katërt midis dy kullave binjake.

Afro 4-5 metra në të majtën time, është vendosur kameramani Ervin Daja dhe pranë tij kamerat e Ora Neës, Vizion Plus etj.

Gjate 4 orëve të protestës, nuk patur asnjë komunikim dhe asnjë lidhje me Neës24. Kjo dëshmohet nga arkiva e Neës24 dhe nga tabulatet e telefonit tim që vazhdon të jete i sekuestruar në prokurori që nga viti 2016.

Kam parë nga pozicioni ku isha, më i miri i mundshëm, pasi unë u ngjita aty shumë kohë para protestës, se si kanë ndodhur ngjarjet. Pra kam parë me sy të lirë si janë kryer vrasjet dhe kisha bindjen e plote se vrasjet i kreu Garda e Republikës. Madje kisha bindjen që vrasjet i bëri skuadra speciale, pasi unë isha atë ditë një nga reporterët më të vjetër të kronikës në terren dhe i dalloja qartë shërbimet e Gardës, nga uniforma, nga paimi personal, nga armatimi dhe nga pozicioni ku ishin vendosur.

Pikërisht ky fakt më ndihmoi të kuptoj qartë se çfarë ndodhi.

Pasi ka mbaruar protesta dhe policia mori nën kontroll sheshin kam zbritur nga kullat, kam komunikuar me kameramanët Ervin Daja dhe të ndjerin Armand Hallvaxhiu, të cilët kishin pozicionet më të mira për të mbuluar ngjarjen. Gjatë bisedës me ta u kam kërkuar nëse e kishin kapur momentin kur kanë ndodhur vrasjet.

Vini ishte në pozicion dominues në lartësi, por pak diagonal me hyrjen nga Bulevardi të kryeministrisë, ndërsa Mandi ishte i pozicionuar poshtë zyrave të kryesisë së kuvendit dhe përballë me derën e kryeministrisë.

Karlo me intervistën e tij thotë se kamerat punonin me memori-kartë, dhe harron që në atë kohë në kishim kamera me kaseta mini-DV 60 minutëshe.

Gjatë transmetimit live, kamerat çonin sinjal direkt në televizion. Pra unë e dija se çdo pamje e transmetuar nga Vini dhe Mandi kishte shkuar në Neës24. Pas protestës kujtoj se Vin Dajën e kam pyetur nëse e kishte kapur momentin e vrasjes së personit te dera e bulevardit të kryeministrisë, sepse ne nuk e dinim që ai ishte Ziver Veizi.

Vini më ka thënë që duhej ta kishte kapur dhe se ndodhej nga fundi i kasetës diku nga minuta 54-56. Ndërsa Mandi më tha që nuk ishte i sigurtë, por me sy të lirë e kishte pare momentin kur Ziver Veizi kishte rënë në tokë. Edhe Mandi më tha se duhej të kontrolloja nga fundi kasetës.

Pra unë po i merrja kasetat me pamjet bruto, dhe këtë e kisha praktikë pune pas çdo ngjarje, për ti përdorur më pas, në emisionin Xhungël, sepse ndryshe do të më duhej ti gjeja në arkiv.

Aty jam ndarë me kameramanët dhe kam vazhduar të ndjek zhvillimet në terren sepse në Bulevard kishin dalë mjetet e Blinduara të repartit special RENEA.

Praktikisht unë kam kujtuar se vrasjet janë transmetuar nga televizioni im dhe nga mediat e tjera, sepse ishin aq hapur dhe sheshit sa më dukej e pabesueshme të mos i kishin filmuar.

Së dyti duke qenë në terren, nuk kisha mundësinë të shikoja se çfarë transmetohej në media pas protestës.

Së treti, askush nga stafi i Neës24 nuk më kontaktoi, sepse praktikisht në terren televizioni kishte gjithë reporterët e terrenit, të kronikës, politikës, madje dhe të sociales.

Unë kam vazhduar të ndjek zhvillimet mbrapa kryeministrisë sepse mora vesh që Berisha nuk ishte larguar ende nga godina, dhe se pas saj kishin ardhur disa grupe kriminale, me militantë të Berishës të armatosur.

Gjë të cilën e konfirmova sepse i pashë me sytë e mi, dhe ishin pak a shumë e njëjti kontigjent që Berisha kishte përdorur në ngjarjet e 14 shtatorit 1998 kur tentoi të bënte grusht shteti….

(vijon te Gazeta DITA)

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll