
Gazetari Artan Hoxha ka rrëfyer një episod i cili deri më tani nuk ishte bërë me dije. I ftuar në emisionin “Opinion” Hoxha tregoi se si Ervin Mata ishte marrë peng disa kohë më parë nga grupi i Ervis Martinajt në qendër të Tiranës.
Sipas gazetarit kjo ngjarje ka ndodhur paraditen, rreth orës 11:00, ku grupi i Martinajt morën peng Ervin Matën në ambientet e një garazhi dhe iu kërkua që të tërhiqj nga një ndërtim. Për këtë Hoxha u shpreh se Matës iu ofrua shuma prej 2 milionë euro.
“Ka patur një ngjarje kur Ervin Matën e kanë marrë peng para RTSH dhe kjo ngjarje ka ndodhur në orën 11:00 të ditës. Është marrë peng nga grupi i Ervis Martinajt.
Në rrugë në anë të rrugës. Kanë dalë e kanë marrë e kanë çuar në një nga ata qendrat tregtare aty afër, në garazhdet e asaj. Është mbajtur për disa orë për çështjen e një ndërtimi shumë të madh në Tiranë. I është ofruar një pagesë 2 milion Euro që të tërhiqej si aksioner nga ai ndërtim që është duke u bërë aktualisht në Tiranë. Ai ka thënë që unë nuk kam lidhje me këtë punë sepse unë nuk jam vetë aty. Unë as nuk i dëgjoj të tjerët dhe as të tjerët nuk më dëgjojnë mua dhe në këtë rast nuk mund të përfshihem në këtë histori. Kjo ngjarje është bërë fiks në orën 11 paradite para RTSH, por nuk ka pasur hetim për këtë”, tha Hoxha, teksa më tej shtoi se kjo ngjarje ka ndodhur para plagosjes në 2018 në zonën e ish-bllokut.
"Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur para plagosjes. Edhe plagosja ka qenë një pikë vlimi e disa incidenteve të mëparshme dhe ajo kulmoi me ngjarjen në bllok", shtoi gazetari.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 4 tetorit 2018
Mbrëmjen e 4 tetorit 2018, mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagos Ervis Martinajt e Laert Hato. Ngjarja ndodhi në një zonë shumë të populluar dhe të frekuentuar nga të rinjtë. Raportohet se Fabiol Gaxha ka qenë truprojë e Ervis Martinajt, një prej personave të plagosur në këtë ngjarje që tronditi atë kohë Tiranën. Konflikti raportohet të ketë ndodhur për shkak të këngëtares Elvana Gjata, e cila është ngacmuar brenda në lokal nga njerëzit e Ervis Martinajt. Mervjol Bilo, pjesë e Forcave Komando, dyshohet si personi që ka qëlluar me armë në sherrin mes dy grupeve në zonën e ish-bllokut, mbrëmjen e 4 tetorit, ku viktimë mbeti Gaxha. Komando mësohet se ka qenë nën shoqërinë e të dashurit të këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata.