Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet në Britaninë e Madhe pasi u kap si pjesë e një organizate të trafikut të drogës në Angli.
Pas arrestimit policia njoftoi se shqiptari përveç se pjesë e grupit kriminal në Angli, kërkohej dhe nga Spanja si autor i një vrasje.
Shqiptari ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2019 nga autoritetet spanjolle si i dyshuari kryesor për vrasjen e 24-vjeçarit maroken, Soufin Mhara që humbi jetën tragjikisht jashtë një lokali në Spanjë pasi u godit disa herë me thikë.
Referuar autoriteteve spanjolle, për identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shqiptarit kanë kontribuar deklaratat e dëshmitarëve të cilët kanë ofruar video dhe fotografi nga dita e ngjarjes. Autori dyshohet që është larguar nga vendi menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në vitin 2019.
Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Galicias njoftoi se 30-vjeçari pritet të ekstradohet në Spanjë, ku do të njihet edhe me masën e "arrestit në burg".