Këngëtarja kosovare Fjolla Morina është arrestuar sërish sot nga Policia e Kosovës, pasi kërkohej nga autoritetet në Shqipëri.
Mediet kosovare bëjnë me dije se Fjolla është ndaluar sot në rrugën “Ahmet Krasniqi” në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet në Shqipëri.
Ndërkohë avokati i këngëtares, Fanol Krasnqi ka thënë se Fjolla Morina nuk është arrestuar, por thjesht është shoqëruar në stacionin policor.
Ajo aktualisht ndodhet në Stacionin Policor Qendra dhe policia është në pritje të udhëzimeve nga ILECU, të cilët duhet të koordinojnë veprimet bazuar në urdhrin e prokurorit kujdestar, shkruan Gazeta Ekspres.
Kujtojmë se Fjolla Morina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Morina kërkohet nga 21 prilli 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Këngëtarja u arrestua në shtator të vitit të 2020, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku asaj iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.