Hapësire reklamuese

Politikë

Arrestohet “Çipuri”, ish anëtari i bandës së Gaxhait që i ka shpëtuar dy atentateve

Shkruar nga Newsbomb

Armando Sulejmani, ish-anëtari i bandës së Gaxhait i njohur me nofkën “Çipuri”, ka rënë në prangat e Policisë.

Sipas njoftimit të Policisë mësohet se Sulejmani është arrestuar në qytetin e Durrësit pasi nuk iu bind urdhërit të efektivëve për të ndalur. Gjatë hetimeve rezultoi që automjeti me të cilin “Çipuri” udhëtonte ishte i vjedhur.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti”, thuhet në njoftimin e Policisë, teksa më tej mësohet se në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim edhe një 26-vjeçar, pronari i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.

Armando Sulejmani nuk është një emër i panjohur për Policinë. 48-vjeçari nga Vlora, i njohur ndryshe dhe me nofkën “Çipuri”, i është bërë një atentat në muajin maj të vitit 2016, në hyrje të banesës së tij në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.

Ai u qëllua me 11 plumba, por fatmirësisht shpëtoi pasi vetëm njëri plumb e kapi në krah.

“Çipuri” njihet si anëtar i bandës së Gaxhait, të akuzuar për konfliktet e tyre me familjen Llanaj. Llanajt dhe Gaxhajt kanë një sagë hakmarrje dhe ngjarje kriminale mes tyre, derisa në vitin 2015, ndodhi masakra e Çoles, ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj. Një nga të arrestuarit për masakrën është Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt. Ferdinandit iu bë një atentat mafioz në vitin 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani.

Ndërkohë, Sulejmanit iu bë një tjetër atentat në shkurt të 2019 ku mbeti i vdekur Aurest Rexho kunati i Sulejmanit dhe Arjan Hasani shkoku i ngushtë i 48-vjeçarit.

Pamje nga atentati ne 2019 Pamje nga atentati ne 2019

Armando Sulejmani ka qenë i dënuar për vrasje me 20 vite dhe është liruar në rrethana të paqarta.

Armando Sulejmani Fotoarkiv Armando Sulejmani Fotoarkiv

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Vijon zbatimi i masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.  

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”. Sekuestrohet një automjet me targa të vjedhura, që dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale. 

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me targa të vjedhura, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje. 

Shpallet në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.   

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit.

Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. 

Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.  

Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje. 

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.     

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese