Një nga bosët e drogës më të kërkuar në Evropë, një belg me diplomë master në kriminologji, është arrestuar në Zvicër pas dy vitesh në arrati.
Flor Bressers, 35 vjeç, i njohur me nofkën “prerësi i gishtave”, është kërkuar që nga viti 2020 kur ai u dënua me katër vite burg për rrëmbim, prerje me brisk dhe rrahje të një holandezi, i cili nuk arriti të kontrabandonte drogën në doganat e Mbretërisë së Bashkuar.
35 vjeçari ishte proceduar më parë në vitin 2010 në Limburg për prerjen e gishtit të një krimineli holandez me gërshërë krasitjeje. Ai u shpall i pafajshëm për mungesë provash, por ngjarja e supozuar i dha pseudonimin, “prerësi i gishtave”.
Bressers ishte në listën e personave të shumëkërkuar në Belgjikë dhe nga Europol. Ai kishte trafikuar qindra ton kanabis në Amerikën e Jugut dhe Europë. Autoritetet mendonin se Bressers ishte fshehur në Afrikën e Jugut, por ai u arrestua në Zyrih ku u gjet me partneren dhe fëmijën e tij. Autoritetet belge kanë kërkuar ekstradimin e tij.